Kreu Ekonomi A do të bie nga sistemi platforma e trustit për shkak fluksit të madh të qytetareve, flasin ekspertet!

A do të bie nga sistemi platforma e trustit për shkak fluksit të madh të qytetareve, flasin ekspertet!

nga Flamur Berisha

Të premten, nga ora 15:00, të gjithë qytetarët që kanë para të kursyera në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) do të mund t’i tërheqin ato përmes platformës së re të “Trusti10.org”. Por sa do t’i përballojë kjo platformë fluksin e qytetarëve që presin të tërheqin 10-përqindëshin e kursimeve të tyre. Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se nëse platforma është testuar dhe krijuar mbi premisa të duhura nuk do të ketë problem në funksionimin e saj. Në të kundërtën fluksi i qytetarëve mund ta vendosë këtë ueb-faqe jashtë funksionit.

Për të pasur qasje më të lehtë qytetarët, Fondi Pensional i Kosovës (Trusti) ka krijuar një platformë të re për aplikim për tërheqjen e 10% të kontributeve. Me t’u votuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ueb-faqja paraprake e Trustit u vu jashtë funksionit për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për ta vizituar atë.

Rreziku ekziston se e njëjta gjë mund të ndodh edhe me uebfaqen e re “Trusti10.org”. Kjo për shkak të pritjes së gjatë të qytetarëve për t`i tërhequr ato mjete.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli ka thënë për Express që është e rëndësishme që platforma e Trustit të jetë e gatshme për të përballuar fluksin e qytetarëve.

“Trendi i komunikimit në rrjetet sociale tregon se ka interesim të jashtëzakonshëm për qasje në platformën për tërheqjen e 10% nga Trusti, prandaj është me rendësi kritike që platforma e Trustit të jetë e gatshme të përballoj fluksin e qytetarëve. Cikli i implementimit të platformave softuerike, veçanërisht atyre që parashikohet të kenë shfrytëzueshmëri të lartë,  zhvillohet në atë mënyrë që secila fazë e zhvillimit (dizajni ideor, zhvillimi i kodit, implementimi i sistemit, dhe lansimi) testohet në mënyrë të detajuar”, ka thënë Doli.

Sipas tij në rast se platforma është testuar dhe janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, s`ka se si të dështoj e njëjta.

“Rezultatet e testimit  shërbejnë që të sigurohen resurset e nevojshme harduerike me qëllim që platforma të jetë e disponueshme për të gjithë shfrytëzuesit, numri i të cilëve mund të jetë lehtë i parashikueshëm. Zhvillimi i platformave softuerike është proces inxhinierik, dhe rezultati nuk mund të dal  ndryshe nëse është planifikuar dhe zhvilluar si duhet”, ka deklaruar ai.

Problemet në funksionimin e një uebfaqeje, sipas Dolit mund të vijnë si rezultat i pakujdesisë në planifikim, zhvillim apo testim të platformës.

“Unë kam besim se Trusti ka bërë investimin e duhur në zhvillimin dhe testimin e platformës për tërheqjen e 10% dhe nuk shoh ndonjë arsye që platforma të mos funksionoj. Dështimi potencial i platformës do të ishte tregues i mungesës së seriozitetit dhe do të ngriste dyshime të mëdha mbi mënyrën e përzgjedhjes se profesionisteve që e kanë implementuar këtë platformë. Për fat të keq, platforma të tilla në Kosovë kanë pasur probleme gjatë fazës së lansimit, dhe si rëndom problemet kanë ardhur si rezultat i pakujdesisë  në planifikimin, zhvillimin apo testimin e platformës”, ka thënë më tutje ai.

Edhe njohësi i teknologjisë informative, Ermal Sadiku ka thënë për Express se fluksi i madh i qytetarëve paraqet problem për funksionimin normal të një ueb faqeje.

Sipas tij, edhe në rastin e ueb faqes së Trustit mund të ketë probleme për shkak se investimet në IT nga ky institucion janë të ulëta.

“Ka gjasa të ndodhin probleme sepse investimet e Trustit në IT duket që janë shumë të ulëta”, ka thënë ai për Express.

Sadiku theksoi se për tu mënjanuar një problem i tillë duhet të ketë më shumë investime në këtë fushë.

“Duhet të ketë Investime shumë më të mëdha në infrastrukturën e IT-së, në punësimin e programorëve e gjëra të tilla”, ka thënë më tutje ai.

Në ndërkohë dje gjatë ditës në një konfeë rencë për media kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina ka thënë se deri më tani nga Trusti janë bërë të gjitha përgatitjet teknike për tërheqjen e mjeteve.

“Trusti ka bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi duke punuar në mënyrë intensive që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshëm dhe të gjithë qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Do të lansohet faqja e re në internet e që është Trusti10.org, pra do të jetë një faqe tjerë. Aplikimi është shumë i thjeshtë. Duhet të shkruani vetëm numrin personal dhe atë të llogarisë bankare. I lusim të gjithë që ti rikonfirmojnë këto dy të dhëna sepse e lehtësojnë shumë aplikimin. Duhet të jenë të sakta dhe në emër të aplikuesit që i tërheq mjetet”, ka thënë ai.

Për sigurinë e kësaj ueb faqeje është deklaruar dje edhe kryeministri Avdullah Hoti. Ai tha se me përgatitjet që janë bërë beson që nuk do të ketë problem në funksionin e ueb faqes.

“Besoj që sistemi në bazë të përgatitjeve është plotësisht i sigurt dhe është i pagatitur që t`i përballoj fluksin e qytetarëve për të tërhequr mjetet”, ka thënë më tutje ai.

Të premten është miratuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Përmes këtij projektligj mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në  Trust.

Kujtojmë që numri më i madh i kontributdhënësve në Trusti, pra 212 mijë e 798 qytetarë mund t`i marrin 100-1000 euro kontribute.

Në ndërkohë deri në 100 euro mund ti marrin 104 mijë e 137 qytetarë.

Në ndërsa 194 mijë e 857 qytetarë mund ti marrin 1000-5000 euro.

Mbi 5000 euro deri në 10.000 euro mund t`i tërheqin vetëm 74 mijë e 88 persona.

10.000-20.000 euro mund ti marrin 40 mijë e 440 qytetarë, teksa mbi 20.000  euro mund ti tërheqin vet 12 mijë e 944 kontributdhënës.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar sot kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021.

Me këtë rast, Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli, deklaroi para deputetëve se në vitin 2023 do të bëhet rimbursimi i mjeteve për gjithë qytetarët që tërheqin mjetet e tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Zyrtarët e Trustit që raportuan para këtij komisioni kanë thënë se është duke u diskutuar akoma rregullorja për rimbursimin e këtyre mjeteve

Ju gjithashtu mund të pëlqeni