Kreu Ekonomi A duhet të ruhen dokumentat si fatura blerëse, shitese etj. më të vjetëra se 6 vite nga kompanite?

A duhet të ruhen dokumentat si fatura blerëse, shitese etj. më të vjetëra se 6 vite nga kompanite?

nga Flamur Berisha

Bazuar në Nenin 13 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe Nenin 17 të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2010, të gjithë librat dhe regjistrimet e kërkuara, duhet të mbahen për një periudhe deri 6 (gjashte) vjeçare, citojmë;

“2. Pavarësisht nga kërkesat për mbajtjen e regjistrave të parashikuara në legjislacionet dhe udhëzimet e tjera administrative tatimore:

2.1. një person i cili ka detyrë të krijojë regjistra sipas këtij ligji do t’i mbajë ato regjistra për një periudhë prej së paku gjashtë vjet pas përfundimit të periudhës tatimore kur ka lindur një detyrim i tillë tatimor përkatës;”

Ndërsa, bazuar në Nenin 57 te Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, përjashtim nga ligji i lartcekur bënë ruajtja e dokumentacionit për pasurinë e paluajtshme ku regjistrat duhet të ruhen në periudhe prej njëzet (20) vite, citojmë;

1. Me përjashtim nga ajo që është definuar në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, personi i tatueshëm duhet:

1.1. të mbajë librat e kërkuara me këtë ligj për periudhën së paku prej gjashtë (6) viteve, e cila fillon pas vitit në të cilin janë mbyllur ato libra;

1.2. të mbajë të gjitha regjistrimet dhe dokumentet tjera sikur që kërkohet me nenin 55 dhe 56 të këtij ligji, për periudhën më së paku prej gjashtë (6) viteve, respektivisht prej njëzet (20) viteve për pasurinë e paluajtshme, e cila fillon pas vitit në të cilin ka lindur detyrimi për TVSH, apo pasi që të ketë ndodhur zbritja e TVSH-së apo rregullimi i TVSH-së;

1.3 të respektojë të njëjtat rregulla lidhur me ruajtjen elektronike të këtyre librave, shënimeve dhe regjistrave”.

Po ashtu, bazuar paragrafin 5 të Nenin 62 të Ligjit Nr. 03/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe Nenin 8 të Udhëzimit Administrativ Nr. 05/2015, përjashtimisht nga Ligji  për Administratën Tatimore dhe Procedurat bëjnë personat e tatueshëm të cilët janë të obliguar të mbajnë regjistrime mbi transaksionet e arit të investueshëm dhe të mbajnë dokumentacionin për dhjetë (10) vite, pas fundit të vitit të cilit i referohet ai dokument, citojmë;

“5. Obligimet e veçanta për personat e tatueshëm që tregtojnë dhe përpunojnë arin e investueshëm. Personat e tatueshëm duhet të mbajnë regjistrime mbi transaksionet e arit të investueshëm dhe të mbajnë dokumentacionin për dhjetë (10) vite, përjashtimisht nga Ligji përkatës për Administratën Tatimore dhe Procedurat pas fundit të vitit të cilit i referohet ai document”.

Gjithashtu, bazuar në Nenin 19 te Ligjit Nr. 03/L-029 për Tatimin mbi te Ardhura te Korporatave, shpenzimet në mjetet e paprekshme të cilat kanë afat të kufizuar përdorimi, përfshirë por duke mos u kufizuar në patentat, të drejtat e autorit, licencat për vizatime apo modele, kontratat dhe të drejtat ekskluzive, zbriten në formë të detyrimeve të amortizimit, dhe në rastet kur afati i përdorimit nuk është përcaktuar me marrëveshje, shpenzimet e amortizimit lejohen deri në njëzet (20) vite, citojmë;

“3. Në rastet kur afati i përdorimit nuk është përcaktuar me marrëveshje, shpenzimet e amortizimit lejohen deri në njëzet (20) vite”.

Si dhe, bazuar në Nenin 20 te Ligjit Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, shoqëritë tregtare janë të obliguara të ruajnë listat e pagave në afat të pacaktuar.

Pra, bazuar ne Ligjin e lartcekur, tatimpaguesi është i obliguar ti mbaje regjistrat për një periudhe prej se paku gjashte vjet pas përfundimit te periudhës tatimore kur ka lindur një detyrim i tille tatimore, me përjashtim te rasteve te cekura me lart.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni