Kreu Ekonomi Afër 4 mijë biznese të Prishtinës ende s’kanë marrë paratë e premtuara, nënkryetari tregon arsyen e vonesës

Afër 4 mijë biznese të Prishtinës ende s’kanë marrë paratë e premtuara, nënkryetari tregon arsyen e vonesës

nga Flamur Berisha

Panedemia Covid19 përveç telasheve me shëndetin që ka shkaktuar në mesin e qytetarëve kosovar dhe atyre të mbarë botës, ajo ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi.

Ndërsa institucionet qofshin ato qendrore apo ato lokale, janë munduar në forma të ndryshme t’iu gjenden pranë bizneseve me grante e ndihma të ndryshme në zbutjen sado pak të kësaj gjendje.

Komuna e Prishtinës, njëherit kryeqyteti i Kosovës, përmes disa subvencioneve ka vendosur tu dal në ndihmë bizneseve që operojnë brenda saj, mirëpo disa nga to vazhdojnë ende të mos e ndjejnë “dorën” e ndihmës, pasi që nuk kanë marrë mjetet e premtuara.

E në lidhje me këtë situatë në një intervistë për IndeksOnline, nënkryetari i kësaj komune Muhedin Nushi, ka treguar në detaje se ku është procesi dhe pse ka vonesa në ekzekutimin e mjeteve të premtuara për bizneset prishtinase.

Nushi ka bërë të ditur se deri më tani janë rimbursuar 655 biznese, e 467 të tjera mjetet janë prezantuar e vetëm po presin ekzekutimin nga ana e thesarit.

Ndërsa ka bërë të ditur po ashtu se në listën e të kualifikuarave për të marrë mbështetje financiare nga komuna e Prishtinës janë afër 5 mijë biznese.

Ai po ashtu ka treguar se sa biznese ende nuk janë rimbursuar.

“Deri më tani janë rimbursuar 655 biznese, për 467 biznese, mjetet janë  vetëm dorëzuar dhe presim ekzekutimin nga ana e thesarit, që besoj shumë shpejtë do të realizohen. Përndryshe gjithsej janë kualifikuar 4 mijë e 941 biznese. Për bizneset tjera që i bie diku afër 3 mijë e 900 që kanë mbetur pa u rimbursu, ata të gjithë do të  rimbursohen dhe aktualisht jemi në fazën e leximit të ankesave të bizneseve e cila fazë është në përfundim e sipër”, tha Nushi.

Se pse ka ngecur ky proces sipas Nushi ka një shpjegim e kjo lidhet me bartjen e këtyre mjeteve dhe votimin nga ana asamblistëve të Prishtinës.

“Sapo të përfundoj dhe sa të kryehet bartja e mjeteve nga viti i kaluar, sepse këto mjete kanë qenë të parapara për vitin e kaluar nëse ju kujtohet. Gati 1 milion euro janë paguar, për grante, për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ju garantoj në emër të komunës që asnjë biznes nuk do të mbetet pa u rimbursuar me mjetet që i kanë përfituar qoftë në vlerë prej 600 eurove qoftë 1500 eurove. Bartja e mjeteve duhet të përfundoj gjatë këtij muaji dhe sapo të përfundoj dhe të konfirmohet nga anëtarët e Kuvendit menjëherë fillojnë edhe pagesat. Kjo është arsyeja  pse deri më tash bartja nuk ka përfunduar”, theksoi Nushi./IndeksOnline/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni