Kreu Biznes ATK iu bën thirrje bizneseve të aplikojnë për falje të ndëshkimeve

ATK iu bën thirrje bizneseve të aplikojnë për falje të ndëshkimeve

nga Flamur Berisha

Vetëm 799 biznese kosovare kanë aplikuar nga 27 janari deri më tani për faljen e ndëshkimeve të borxhit në Administratën Tatimore të Kosovës, kështu ka bërë të ditur, zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa.

Sipas Bytyqi-Sefës pagesa e kryer nga tatimpaguesit kap vlerën prej 3.8 milionë euro, gjë që ndikon jashtëzakonisht në pasqyrat financiare të ATK-së.

“Pas vendimit të marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës masa ka të bëjë që të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë obligime të pashlyera në Administratën Tatimor të Kosovës t’u falen ndëshkimet me kushtin e vetëm që tatimpaguesit të cilët dëshirojnë që ndëshkimet t’u falen nga shteti atëherë ata kanë kusht që fillimisht ta kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesin më pas ndëshkimi falet sipas masës së paraparë”.

“Deri më tani numër i tatimpaguesve të cilët kanë aplikuar për të i’u falur ndëshkimet është diku 799. Nga ky numër është paguar diku 10.5 milionë euro baza e tatimit dhe 1.2 milionë euro interesi, ndërsa ndëshkimi i falur sipas masës së paraparë është në vlerë prej 3.8 milionë euro. Ky vendim ka ndikim jashtëzakonisht të mirë në pasqyrat e institucionit tonë pasiqë na ndihmon që të kemi një ulje të stokut të borxhit, një pastrim të pasqyrave ku tatimpaguesit shihet që kanë obligime tatimore të pashlyera në ATK”, është shprehur ajo.

Poashtu zëdhënësja e ATK-së, duke inkurajar pronarët e bizneseve për aplikim ka njoftuar se 30 qershori është afati i fundit për të përfituar nga kjo masë.

“Duhet potencuar se afati është pothuajse në përfundim dhe inkurajojmë dhe i bëjmë thirrje në emër të institucionit të gjithë tatimpaguesve që të aplikojnë për të përfituar nga kjo masë shumë favorizuese për ta. Afati deri kur tatimpaguesit mund të aplikojnë është deri më 30 qershor, po konsideroj që kanë mbetur edhe pak ditë kur tatimpaguesit mund të aplikojnë dhe pas kësaj date secili tatimpagues që është borxhli duhet t’i kryej komplet borxhet”, ka shtuar ajo.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni