Kreu Biznes ATK paralajmëron ndëshkime për keto kategori të bizneseve. (Lajmi i plotë)

ATK paralajmëron ndëshkime për keto kategori të bizneseve. (Lajmi i plotë)

nga Flamur Berisha

Një javë pasi u vendos në krye të operacionit për verifikimin e punëtorëve në biznese, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Operacioneve, Nijazi Asllani, ka paralajmëruar ndëshkime për bizneset të cilat hasen duke angazhuar punëtorë pa kontrata në punë të ndershme.

“Tatimpaguesit nëse do i kishin deklaru vetë punëtorët ne nuk do kishim pasë nevojë që me i vizitu dhe me i ndëshku. Është e paarsyeshme që një tatimpagues të mos e bëjë deklarimin e saktë të punëtorëve dhe pagës së tyre sepse këtu më së shumti dëmtohet punëtori dhe buxheti i shtetit. I njoftoj të gjithë tatimpaguesit që të bëjnë deklarimin e punëtorëve dhe mos të vijnë deri të masat ndëshkuese“, tha Asllani.

Ai shtoi se aksioni i ATK-së, i cili nisi në muajin nëntor, do të vazhdojë edhe për disa muaj në mënyrë që të formalizohen punëtorët e sektorit privat.

Një operacion i gjerë tatimor, i cili u shtri në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, nisi të zbatohet gjatë javës së kaluar.

Cak i këtij aksioni të Administratës Tatimore të Kosovës ishin qindra biznese të cilat sistemi i brendshëm i këtij institucioni i kishte vendosur në pikën e kuqe për shkak se dyshohej se kishin të angazhuar në punë disa punëtorë të padeklaruar në ATK dhe të papajisur me kontrata të punës.

Pamjet e këtij aksioni të gjerë tatimor u shfaqën sonte në emisionin “Kallxo Përnime” në të cilën morën pjesë katër inspektorë të ATK-së, të ndarë në dy ekipe.

Aksionet e filmuara u zhvilluan në komunën e Fushë-Kosovës dhe atë të Prishtinës me ç’rast në të gjitha bizneset që ishin subjekt kontrolli u konstatua se kishte punëtorë të paregjistruar.

Sistemi i brendshëm i ATK-së doli të jetë i saktë pasi si rezultat i tij në të gjithë Kosovën u konstatua një numër i madh i punëtorëve, të cilët ishin duke punuar pa kontrata të punës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni