Kreu Ekonomi ATK shton kontrollet tek bizneset

ATK shton kontrollet tek bizneset

nga Flamur Berisha

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar me anë të një komunikate për media se ka shtuar kontrollet tek bizneset nga inspektorët tatimor, me ç’rast ka lëshuar edhe një numër të madh gjobash për shkeljet e gjetura.

Sipas ATK-së, intensiteti i aktiviteteve të ATK-së është rritur dukshëm për muajin e parë të këtij viti, deri me datë 31 janar janë kryer 3, 355 vizita tek bizneset, ku si rezultat i tyre janë lëshuar 130 gjoba për gjetjet e konstatuara nga inspektoret tatimor në teren.

Po ashtu, nga vizitat e realizuara, sipas ATK-së është konstatuar mall pa origjinë, si dhe mungesë në stoqe në vlerë 1.1 milion euro.

Përveç vizitave, inspektorët tatimor thuhet se kanë përfunduar 78 kontrolle tek bizneset, të cilat janë identifikuar nga moduli i analizës së riskut. Tatimi shtesë nga këto kontrolle të kryera është 1.6 milion euro, ndërsa kreditimi i zbritur është afro gjysmë milion euro, kurse humbja zbritur e konstatuar me kontroll është 1.6 milion euro.

“ATK do të vazhdoj me zbatimin e planeve operative, me qëllim të identifikimit të të gjitha rasteve të shmangieve tatimore, andaj i bëjmë thirrje të gjithë tatimpaguesve që t’i përmbushin obligimet e tyre tatimore, në mënyrë që mos të jenë objekt i ndëshkimeve të parapara me Legjislacionin Tatimor në fuqi”, përfundon komunikata e ATK-së. /Buletini Ekonomik/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni