Kreu Ekonomi Biznesmeni kosovar: Paga minimale nuk do të duhej të ishte nën 350 euro

Biznesmeni kosovar: Paga minimale nuk do të duhej të ishte nën 350 euro

nga Flamur Berisha

Burim Piraj, drejtues i kompanisë vendore “Meka”, tha për Buletinin Ekonomik se paga minimale në Kosovë nuk do të duhej të ishte nën 350 euro edhe pse sipas tij kjo pagë është shumë e vogël në krahasim me nevojat e një qytetari për të jetuar një jetë të dinjitetshme. Këto komente Piraj i ka bërë pas paraljmërimeve të Qeverisë Kurti për rritjen e pagës minimale në 250 euro.

Unë si biznesmen ndoshta kam pikëpamje të tjera me kolegët e mi dhe me politikanët sepse mendoj se nuk mund të ketë kompani të suksesshme nëse vetëm pronari është i kënaqur, nëse vetëm pronari arrin të ketë profit të kënaqur ose nga aspekti i politikës politikani të ruajë pozitën e vetë dhe rrogën e majme për veti e për të tjerët të mos interesohet”, tha Piraj.

Ai tregoi edhe pagën minimale në biznesin e tij duke thënë se është 385 euro bruto, por shpjegoi se as ajo pagë nuk është se është krejt e përballueshme për biznesin e tij, mirëpo thotë se padyshim se do të japë frytet e veta në suksesin e kompanisë së tij në të ardhmen. Në anën tjetër, Piraj u shpreh i indinjuar edhe me qytetarët, pasi thotë se jo rastësisht vendi jonë ndodhet në një nivel ekonomik të pafavorshëm, kjo për shkak se si popull vazhdojmë t’u japim përparësi prodhimeve të importit, kurse ato vendore i lëmë gati të fundit në shportën tonë.

“Unë shumë shpesh në market takoj zyrtar dhe punëtorë administrativ që me paratë e taksave të kosovarëve të varfër i marrin pagat e tyre ndërsa më besoni që shumica prej tyre vetëm prodhime të importit blejnë dhe kjo është një papërgjegjësi e madhe sepse ata pikë së pari vetvetes i bëjnë padrejtësi e më pas dhe tërë vendit, vetvetes sepse duke pas ekonomi të dobët as pagat e tyre nuk mund të rriten e as pagat e sektorit privat për të cilat sot ne po e shprehim mendimin tonë”, përfundoi Piraj.  /Buletini Ekonomik/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni