Kreu Ekonomi Buxheti për vitin 2021 ka filluar të ekzekutohet

Buxheti për vitin 2021 ka filluar të ekzekutohet

nga Flamur Berisha

Zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Agim Krasniqi ka njoftuar se buxheti për vitin 2021 ka filluar te ekzekutohet përmes Sistemit Informatik për Menaxhimin e Financave Publike (SIMFK), i njohur si Sistemi i Thesarit.

“Buxheti për vitin 2021 është vendosur në sistem, menjëherë sapo ka hyrë në fuqi dhe ka filluar të ekzekutohet, për organizatat që kanë sjellë zyrtarët e autorizuar për qasje në sistem”, thuhet në njoftim.

MI-ja njofton se qasja e organizatave buxhetore në Sistemin e Thesarit bazohet në legjislacionin dhe procedurat në fuqi. Secila organizatë që e ka përfunduar dhe sjellë dokumentacionin e kompletuar në Thesar është pajisur me qasje në SIMFK, dhe buxheti për vitin 2021 ka filluar të ekzekutohet.

Megjithatë, sipas MI-së ka ende disa organizata të cilat janë në proces të kompletimit të dokumentacionit dhe qasjet e tyre do të krijohen sapo të përfundojnë procedurat e parapara ligjore dhe teknike. Është krejtësisht në dorën e organizatave buxhetore (OB) plotësimi i dokumentacionit dhe kërkesave të legjislacionit sa i përket qasjes në sistem.

Njëra nga këto organizata është edhe Komuna e Prishtinës, e cila ditën e djeshme ka kompletuar kërkesën për qasje në sistem (26.01.2021), bashkë me kërkesën për trajtim dhe certifikim të Zyrtarit Kryesor Financiar (i emëruar dje, 26.01.2021). Kërkesa menjëherë ka filluar të trajtohet dhe qasjet do të ofrohen sapo të përfundojë procesi (brenda 48 orësh pas kompletimit të dokumentacionit nga OB).

Për fund, ju sigurojmë që të gjitha operacionet dhe aktivitetet po zhvillohen normalisht, ndërsa rikujtojmë se ekzekutimi i buxhetit është i decentralizuar tek organizatat buxhetore, të cilave alokimet u janë dhënë sipas planit të rrjedhës së parasë, dhe janë përgjegjëse për realizimin e buxhetit të tyre, në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.

Thesari do të procedojë në kohë të gjitha shpenzimet e aprovuara (certifikuara) nga organizatat buxhetore, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet sipas legjislacionit ne fuqi.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni