Kreu Ekonomi Çdo ditë nga 700-800 raste me Covid: Paralajmërohet ashpërsim i masave!

Çdo ditë nga 700-800 raste me Covid: Paralajmërohet ashpërsim i masave!

nga Flamur Berisha

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti pritet të vendos masa të reja kufizuese për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.  Vendimi për mbylljen e  Kosovës pritet të merret të hënën.  Kudër ashpërsimit të masave kanë dalë Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Është duke vazhduar trendi i rritjes së rasteve COVID-19 në Kosovë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 705 raste, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 786.

Kohëve të fundit thuajse për çdo ditë numri i rasteve të reje ka qenë nga 700 dhe 800.

E, përkundër numrit të lartë të viktimave dhe rasteve të reja me COVID-19, në Kosovë masat antiCOVID janë lehtësuar muaj më parë.

Sipas vendimit që kishte marrë Qeveria e kaluar, e që ende është në fuqi, lëvizja e qytetarëve nuk është e kufizuar, ndërsa qendra tregtare, sektori i gastronomisë dhe operatorët ekonomikë lejohen të punojnë deri në ora 22:00.

Mirëpo, me ardhjen e  Albin Kurtit në pushtet, këto masa antiCOVID pritet të ashpërsohen. Në mbledhjen e parë të Qeverisë, Kurti deklaroi se në vend ende ka krizë shëndetësore dhe se duhet vepruar me urgjencë në mënyrë që të ulet numri i rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

“Përtej veprimeve urgjente nevojitet edhe menaxhimi i pandemisë. Duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por dhe të ndalim recensionin ekonomik, duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojnë vendet e punës dhe prodhimin. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike”, kishte thënë Kurti që në mbledhjen e parë të Qeverisë.

Për këtë çështje ende nuk është deklaruar  Ministria e Shëndetësisë. Por, në Kosovë tashmë po raportohet se që masa të reja mund të ketë që nga dita e hënë, e që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Në anën tjetër, kundër ashpërsimit të masave antiCOVID  është shprehur sektori i Gastronomisë.

Gastronomët përmes një reagimi publik kanë kërkuar nga Qeveria që të takohen para se të merret ndonjë vendim.

“Qeveria e re e ka marre shtetin në dorë në situatën me të rëndë të shëndetit publik dhe ekonomisë. Ne nuk duam ta kapim për fyt qysh në ditët e para, me presion, zhurmë, protesta. Ne thjeshte kërkojmë nga ta bashkëpunim, që të dalim nga kjo krizë e përbashkët që po kalojmë. Po shpresojmë që lajmet mos t’i marrim vesh nëpërmjet mediave, po ashtu siç na është premtuar nga vete subjekti që tanimë ka filluar qeverisjen, që të ulemi së bashku, të bisedojmë, dhe vendosim për te ardhmen. Vetëm bashkarisht mund ta kalojmë krizat e shëndetit publik dhe shëndetit ekonomik”, thuhet në reagimin e gastronomëve.

Vlen të përmendet se Qeveria Kurti ishte në pusht kur në Kosovë ishin paraqitur rastet e para me koronavirus, ku më pas kishin vendosur për mbyllje të vendit për dy muaj, dhe më pas kishin vazhduar me masa kufizuese, ku ndër to ishte edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Ndërkaq, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, në pushtet kishte ardhur LDK, ku në atë kohë Armend Zemaj që udhëhiqte me Ministrinë e Shëndetësisë, kishte lehtësuar masat antiCOVID, të cilat ende janë në fuqi.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër COVID-19, dhe nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se kur mund të arrijë kontigjenti i parë i vaksinave në Kosovë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë javës së kaluar për mediat vendore ka thënë “se më 17 mars do dal nga prodhimi kontingjenti i parë i vaksinave për Kosovën” dhe se sipas tij, mbetet çështje ditësh arritja e tyre në Kosovë.

Vaksina e parë që pritet të arrijë në Kosovë është ajo e kompanisë britanike/suedeze AstraZeneca, e krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Qeveria e kaluar ka thënë se Kosova do të pranojë kontingjentin e parë të vaksinave të AstraZenecas në muajin mars. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave, që Kosova pret t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në mungesë të vaksinës, Shqipëria gjatë fundjavës së kaluar ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni