Kreu Ekonomi Edhe pse pandemi, bizneset janë të obliguara të paguajnë obligimet tatimore

Edhe pse pandemi, bizneset janë të obliguara të paguajnë obligimet tatimore

nga Flamur Berisha

Bizneset në vend sot kanë afatin e fundit për deklarim dhe pagim të tatimeve për tremujorin e dytë të këtij viti. Përkundër pandemisë dhe vështirësive financiare që kanë disa kompani, ato nëse nuk respektojnë këto afate ligjore do të gjobiten sipas ligjeve në fuqi. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një intervistë për KosovaPress deklaroi se nuk kanë dhe nuk pritet të ketë vendim tjetër për shtyrje të deklarimeve për pagesat e tatimeve.

Murtezaj thotë se deri dje nuk ka pasur numër të madh të atyre bizneseve që kanë deklaruar dhe paguar, megjithatë sipas tij trendi ka qenë pothuajse i ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Tani më nuk kemi vendim tjetër për shtyrje të deklarimeve të pagesave të tatimeve dhe afatet e rregullta janë të tilla, të cilat tani më 15 korrik afat i fundit për deklarim dhe pagesë të tatimit ose paradhënie për këstet tremujore për tatim në korporata dhe tatim në të ardhura personale. Bizneset veç janë të njoftuara për këtë realitet. Besojmë dhe shpresojmë se të gjitha bizneset do t’i përgjigjen kërkesave ligjore për të deklaruar dhe paguar me qëllim të shmangies nga aplikimi i ndëshkimeve të cilat sistemi në mënyrë automatike do t’i aplikojë nëse deri më datën 15 korrik në orën 24:00 nuk deklarojnë e paguajnë tatimet ashtu siç kërkohet me ligj”, theksoi Murtezaj.

Drejtori i ATK-së pret bizneset t’i përgjigjen pozitivisht deklarimit dhe pagesave, teksa shton se kompanitë të cilat kanë vështirësi financiare mund të parashtrojnë kërkesë për marrëveshje të pagesave me këste, pasi që nuk mund të lirohen as ato biznese nga tatimi. Ndryshe, për shkak të COVID-19 gjatë muajt mars dhe prill ka pasur dy vendime për zgjatje të afateve për deklarim dhe pagesa të të gjitha llojeve të tatimeve deri më 15 maj. Ndërsa, për pagesën e tremujorëve që nënkupton paradhënien e kësteve për tremujor për tatim në korporata dhe tatim në të ardhura personale ishte zgjatur deri më 30 qershor.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni