Kreu Financa Grante per biznese. Ministria e Tregtise me njoftim të ri

Grante per biznese. Ministria e Tregtise me njoftim të ri

nga Flamur Berisha

MINT nënshkroi marrëveshjet për grante me 139 biznese përfituese me potencial exporti

Është lansuar skema e “Granteve të Përputhshme” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke nënshkruar marrëveshjet individuale me 139 përfitues të bizneseve vendore. Këto grante janë në kuadër të “Projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP’’, me huamarrje nga Banka Botërore.

Në këtë ceremoni, Ministrja Rozeta Hajdari, i ka uruar të gjithë përfituesit e granteve, duke i siguruar se mbështetja e qeverisë për bizneset do të jetë e vazhdueshme. Ajo u shpreh e lumtur që po arrin përmbushjen e premtimeve për përkrahjen e bizneseve vendore me potencial eksporti, rritje të punësimit dhe për më shume të ardhura kombëtare.

“Jam e lumtur që sot para jush po përmbushim edhe një premtim dhe po dëshmojmë se Qeveria Kurti është e vendosur të vazhdojë, si kurrë më parë, për më shumë mbështetje ndaj bizneseve dhe sektorit privat në përgjithësi. Tani jemi edhe pas një krize nga Covid-19 dhe ne po synojmë të jemi pjesë e zinxhirit të vlerës, në rajon dhe më gjerë, gjersa kemi përparësi konkurruese që duhet t’i shfrytëzojmë për investime në Republikën e Kosovës. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes projektit Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport – CERP, në vlerë prej 9,8 milion euro, me huamarrje nga Banka Botërore, synon t’i mbështesë ndërmarrjet vendore në ngritjen e konkurrueshmërisë dhe aftësisë eksportuese, duke përmirësuar kualitetin e produkteve të tyre dhe efikasitetin në prodhim, përpunim dhe shërbim si dhe të mundësojë digjitalizimin e komunikimit dhe shërbimeve”, ka deklaruar ministrja.

Ministrja Hajdari ka folur edhe për qëllimin që kanë këto grante për bizneset.
“Programi i Granteve të Përputhshme është një nga skemat mbështetëse qeveritare ndaj ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe gatishmërinë e tyre për eksport, ku objektiv kryesor është rritja e konkurrueshmërisë duke përmbushur kërkesat për zbatimin e standardeve dhe çertifikimin e produkteve të kërkuara për tregjet e eksportit”, është shprehur ajo.

Për të qenë pjesë e zinxhirit të vlerës në nivel rajonal dhe më gjerë, përmes eksportit, Ministrja Hajdari ka ripohuar se bizneset duhet t’i kenë produktet kualitative dhe të çertifikuara.

“Me Programin e Granteve të Përputhshme synojmë që t’i përmbushim kërkesat për zbatimin e standardeve dhe certifikimin e produktit të kërkuar për tregjet e eksportit, të financojmë blerjen e makinerive të prodhimit dhe përpunimit, pajisjeve që përdoren për trupat e vlerësimit të konformitetit, qasjen në Shërbimet e Zhvillimit të Biznesit/Trajnime, si dhe financimin e pajisjeve të vogla për komunikim digjital ”, potencoi Ministrja.

Me parimet e qeverisjes së mirë, respektivisht kriteret e gjithëpërfshirjes, barazisë dhe transparencës në skemën mbështetëse të MINT, nga 139 biznese vendore përfituese të skemës, janë 31 gra ndërmarrëse që janë shpallur fituese të grantit, dhe e rëndësishme të përmendet se nga 5 fituesit e parë, më më së shumti pikë, janë 2 gra ndërmarrëse të suksesshme: zonja Emine Duraku nga ndërmarrja Agrokrusha Sh.p.k dhe zonja Arlinda Canaj nga ndërmarrja NMA Sh.p.k.

Me sa më shumë produkte cilësore në tregjet ndërkombëtare, përveç kontributit në ekonomi, ndërmarrësit tanë të vyeshëm, rrisin edhe më shumë imazhin e Republikës sonë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni