Kreu Financa Ja çfarë është SWIFT dhe cilat do jenë pasojat e Rusise?

Ja çfarë është SWIFT dhe cilat do jenë pasojat e Rusise?

nga Kontabilisti

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar se BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë zotuar të ndërpresin disa banka ruse nga sistemi ndërkombëtar financiar SWIFT.

Në një konferencë shtypi, ajo tha se ushtria ruse po kryen “veprime barbare” në Ukrainë vetëm disa dhjetëra kilometra larg kufirit lindor të BE-së, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Ajo ka theksuar se aleatët perëndimorë janë të përkushtuar të imponojnë “kosto masive” ndaj Rusisë dhe “të shtrëngojnë ndjeshëm” sanksionet e tyre.

“Ata po punojnë për të dëmtuar aftësinë e Putinit për të financuar makinën e tij të luftës”, tha ajo.

Von der Leyen tha se tani do t’u propozojë liderëve të BE-së që një “numër i caktuar” bankash ruse të hiqen nga Swift – diçka që do t’i ndalojë ata të kryejnë shumicën e transaksioneve të tyre financiare në mbarë botën dhe në mënyrë efektive do të bllokojë importet dhe eksportet ruse.

Ajo shtoi se aleatët do të “punojnë gjithashtu për të ndaluar oligarkët rusë të përdorin asetet e tyre financiare në tregjet tona”.

Ndërkohë siç shkruan BBC – BE, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara sapo kanë lëshuar një deklaratë të koordinuar që dënon pushtimin rus.

“Ndërsa forcat ruse kryejnë sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona”, thonë ata, përcjell Telegrafi.

Masat që do të zbatohen në ditët në vijim përfshijnë heqjen e “bankave të zgjedhura ruse nga sistemi i mesazheve Swift”.

“Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar globalisht”.

Swift është arteria financiare globale që lejon transferimin e qetë dhe të shpejtë të parave përtej kufijve.

Çfarë është SWIFT

Shkëputja e Rusisë nga sistemi global i pagesave SWIFT do të ishte një nga sanksionet më të ashpra që Perëndimi mund të vendosë.

Por kjo do të sillte gjithashtu dhimbje për bankat e huaja dhe kreditorët e tjerë që bëjnë biznes me këtë vend, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Sistemi, i cili ka selinë e tij në Belgjikë, përdoret nga më shumë se 11,000 institucione financiare në më shumë se 200 vende dhe territore për të dërguar para dhe informacion tek njëri-tjetri.

Ai është një ingranazh i rëndësishëm në sistemin financiar botëror dhe i mbikëqyrur nga bankat qendrore në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Evropë.

Dhe masa do të kishte një ndikim të madh, duke dëmtuar ekonominë ruse menjëherë dhe në afat të gjatë.

Kjo do ta pengojë Rusinë nga shumica e transaksioneve financiare ndërkombëtare, duke përfshirë fitimet ndërkombëtare nga prodhimi i naftës dhe gazit, të cilat në përgjithësi përbëjnë më shumë se 40% të të ardhurave të vendit. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni