Kreu Ekonomi KEDS bën kërkesë për shtrenjtim të rrymës për 7%

KEDS bën kërkesë për shtrenjtim të rrymës për 7%

nga Flamur Berisha

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.

Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i saj, Viktor Buzhala.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.

Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.

Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj.

Rizvanolli tha se nuk mund të ketë garanci se çmimi i rrymës nuk do të rritet.

Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.

Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Për shkak të situatës së rënduar, Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e tjera, si ZRRE dhe KEDS, kanë kërkuar nga qytetarët që të kursejnë rrymë, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat./Gazeta Express

Ju gjithashtu mund të pëlqeni