Kreu Financa KEDS-i obligohet t’ua kthejë 40 milionë euro konsumatorëve

KEDS-i obligohet t’ua kthejë 40 milionë euro konsumatorëve

nga Flamur Berisha

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për përfshirjen në fatura të qytetarëve shpenzimet e rrymës në katër komunat veriore.

Në vendimin e saj të marrë të hënën ka kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe ka detyruar KEDS-in që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove për t’ua kompensuar dëmin konsumatorëve, të shkaktuar gjatë viteve 2012-2017.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 6.2.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë eurosh. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Themelorës.

Suzana Gashi, udhëheqësja e Departamentit për Çështje Juridike, ka thënë se ZRRE-ja ka tash obligim miratimin e tarifave dhe të kompensojë qytetarët për dëmet që u janë shkaktuar.

“Ky është raport i Avokatit të Popullit dhe nuk është detyrimisht i obligueshëm. Meqenëse ZRRE-ja nuk e kishte respektuar atëherë ne kemi ngritur padi. Meqenëse rasti është në gjykata nuk paragjykojmë se si do të vendosë Apeli. Ka qenë shumë sfiduese, sepse ne kur e kemi paraqitur padinë nuk e kemi ditur se sa është fatura. Mandej kemi parë që janë mbi 40 milionë euro. Tash ZRRE-ja e ka për obligim miratimin e tarifave, dhe ai është organi që më së miri do të dijë se si t’i kompensojë”, ka deklaruar Gashi.

Avokati i Popullit përmes një padie më 15 gusht 2017 kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që të anulonte vendimin e ZRRE-së.

ZRRE-ja përmes vendimit të nxjerrë më 2012 faturonte qytetarët për energjinë elektrike të shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore.

Gjykata më pas kishte marrë vendim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së deri në shqyrtim të plotë të padisë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni