Kreu Biznes Keto jane 5 masat e ringjalljes ekonomike. Keto kategori te bizneseve dhe qytetareve perfitojnë!

Keto jane 5 masat e ringjalljes ekonomike. Keto kategori te bizneseve dhe qytetareve perfitojnë!

nga Flamur Berisha

Masa e parë:

Për çdo të ri të punësuar qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj.- 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në 3 muajt e fundit e që deklarohet në ATK. Secilit prej tyre do t’iu paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës për 12 muaj me radhë. – 5 milionë euro për ta mbështetur punësimin e grave. Secilës grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do t’i subvencionohet 50% e pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional.- 10 milionë euro për ta filluar qysh këtë vit skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale.- 5 milionë euro për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në TI. Për të orientuar talentet e reja drejt fushës së TI-së, do të ndahen kuponë me anë të të cilëve mund të ndiqen kurse për TI, apo trajnime në praktikë. Atyre që përfundojnë kursin apo trajnimin me sukses, do t’u ofrohet mbështetje në punësim për 3 muajt e parë.- 5 milionë euro për punësimin e personave me nevoja të veçanta. Në funksion të arritjes së synimit për një shtet të barabartë për të gjithë, qeveria e Kosovës do ta mbështes secilin të punësuar me aftësi të veçanta me 50% të pagës, deri në maksimum 150 euro në muaj. Mbështetja do të bëhet për 6 muajt e parë.– 5 milionë euro për skemën e granteve për zanatet. Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, qeveria do t’i mbështesë me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të certifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajisjeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe certifikimit.

Masa e dytë:

108 milionë euro për ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit- 108 milionë euro për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, pa harruar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.- 30 milionë euro me qëllim të mundësimit të investimeve të reja. Të gjitha bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten nëse marrin kredi për të financuar zgjerimin e kapaciteteve, duke ua subvencionuar deri në 20% të kryegjësë së kredisë, më saktësisht 10% të kryegjësë në fillim, për të mundësuar një grejs periudhë fillestare, si dhe 10% tjera në fund të kredisë në rast se janë përmbushur objektivat e investimit.Bizneset që janë në pronësi të grave po ashtu do të mbështeten nëse marrin kredi për rritje të kapaciteteve, me deri në 20%, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.Bizneset që kanë pësuar rënie në të hyra, mirëpo megjithatë kanë ruajtur numrin e punëtorëve, dhe tani u duhet likuiditet për t’u përgatitur për investime të reja, do t’u mundësohet subvencionimi i 10% të kryegjësë së kredisë.- 43 milionë euro mbështetje bizneseve për qasje në financa.Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financim, do të mbështetet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore duke shtuar kapitalin për edhe 40 milionë euro tjera, që do të mundësojnë garantimin e rreth 120 milionë eurove kredi shtesë për bizneset. Po ashtu, me 3 milionë euro tjera do të subvencionohen tarifat e Fondit, gjë që do të çlirojë potencial për edhe 86 milionë euro tjera kredi të garantuara.– 10 milionë euro për Investime në TI dhe Inovacion.7 milionë euro janë dedikuar për investim në digjitalizim dhe inovacion, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme drejt tranzicionit në epokën digjitale. Gjithashtu, 3 milionë euro do të investohen në parkun e inovacionit dhe trajnimeve në Prizren (ITP Prizren) për të krijuar një nyje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të TI-së. Këto investime do të mobilizojnë edhe rreth 4 milionë euro tjera grante nga donatorët.- 10 milionë euro mbështetje eksportit. Me këtë masë do të mbështeten bizneset prodhuese dhe eksportuese në rritje të cilësisë dhe marrjen e certifikimeve të nevojshme. Si pjesë e mbështetjes do të jetë edhe asistenca në dizajnim dhe marketing të produkteve. Po ashtu, do të mbështetet edhe pjesëmarrja në panaire jashtë vendit.- 10 milionë euro për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit.Mbështetja e produkteve bujqësore duhet të bëhet edhe përtej prodhimit. Me anë të kësaj mase do të investohet në krijimin e infrastrukturës dhe parakushteve për zhvillimin e agroturizmit nëpër fshatrat tona. Kjo përfshin edhe mbështetjen për investime që do të mundësojnë shndërrimin e shtëpive të fshatit në bujtina që mund të presin mysafirë. – 5 milionë euro për rikuperimin e hotelerisë dhe bizneseve të mbyllura.Me këtë masë do të mbështeten bizneset të cilat kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë dhe për shkak të mbylljes nuk kanë arritur të kryejnë detyrimet që kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave.

Masa e tretë:

50 milionë euro mbështetje për familjet, shtresat e cenueshme të shoqërisë, për t’ua lehtësuar sadopak barrën që kanë pasur gjatë pandemisë.- 4 milionë euro do të ndahen për familjet që kanë humbur kryefamiljarin e tyre nga Covid-19, duke marrë parasysh që humbja e më të dashurve mund të ketë nënkuptuar edhe humbjen e burimit të vetëm të të ardhurave. – 17 milionë euro për t’i paguar shtesat për pensionistë ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, si dhe për mbështetjen e familjeve që pranojnë asistencë sociale me 30% mbi nivelin e rregullt. Shtesat do të aplikohen deri në fund të vitit fiskal. – 12 milionë euro për reformimin e skemës së asistencës sociale. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, qeveria do ta fillojë këtë reformë me qëllim zgjerimin e saj për të përfshirë më shumë familje në nevojë. Shuma e përgjithshme e projektit pritet të jetë rreth 47 milionë euro.- 4 milionë euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë. Për 6 muaj me radhë, në bashkëpunim me UNDP-në dhe me financim të BE-së, 7,500 familjeve më në nevojë do t’u shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro, varësisht nga madhësia e familjes. Mbështetja do të zgjerohet edhe për rreth 3,000 familje tjera nga komunitetet jo-shumicë, me mbështetje të IOM-it. – 3 milionë euro për pagesën e lehonave të papunësuara. Në kuadër të kësaj skeme që do të fillojë këtë vit, të gjitha lehonat që nuk punojnë, do të përfitojnë mbështetje në nivelin e pagës minimale për 6 muaj me radhë.- 10 milionë për mbështetjen e likuiditetit familjar. Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro. Kjo do t’iu mundësoj shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta, dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve sezonale.

Masa e katërt:

112 milionë euro mbështetje për publiken. Rritja e cilësisë së shërbimeve publike, shërbimet më cilësore në shëndetësi, arsim, kulturë e sport janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti II.- 53 milionë euro mbështetje për shëndetësinë. Për luftën ndaj pandemisë COVID-19 janë dedikuar 40 milionë euro, që përfshin blerjen e vaksinave dhe shpenzime tjera të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë. 8 milionë euro janë dedikuar për blerjen e barnave esenciale. Kurse 5 milionë euro shtesë mbi buxhetin fillestar për mbulimin kostos për specializantët e rinj.- 9 milionë euro mbështetje për arsimin. Kjo masë mundëson mbulimin e hendekut të krijuar në të hyrat vetanake të universiteteve publike gjatë kohës së pandemisë, do të mundësojë blerjen e teksteve mësimore për nxënësit, si dhe do të mundësojë 1 milionë euro ndarje për bursa për studentët që studiojnë fushat e shkencave, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.- 5 milionë euro mbështetje për Kulturën dhe Sportin. Me këtë masë qeveria do të përkujdeset t’i jap vendit gjallëri duke organizuar dhe mbështetur ngjarje e projekte kulturore të cilat vënë në pah artistët e rinj dhe krijojnë mundësi të promovimit të tyre. Njësoj mbështetje do të ketë edhe për sportin, duke mundësuar organizimin e turneve dhe ngjarjeve tjera sportive.- 10 milionë euro mbështetje për sigurinë. Me qëllim të avancimin të FSK-së drejt një ushtrie moderne që mundëson përmbushjen e misionit të saj, do të mbështetet pagesa për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake.- 5 milionë euro mbështetje për mërgatën. Është zotim i Qeverisë Kurti II që të lehtësohen të gjitha barrierat për mërgatën tonë. Andaj do të mbulohet kostoja e policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhet përfundimisht çështja e Kartonit të Gjelbër.- 30 milionë euro mbështetje për ndërmarrjet publike. Marrë parasysh gjendjen e rënduar financiare të shumicës së ndërmarrjeve publike, qeveria do të hartojë një plan për ringjalljen e tyre. Me këtë masë, do të mundësohet kreditimi i ndërmarrjeve publike ashtu që të mundësohet edhe jetësimi i planit të ringjalljes.

Masa e pestë:

100 milionë euro investim në infrastrukturë dhe ambientNga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.Në kuadër të ambientit jemi duke negociuar me institucione financiare ndërkombëtare edhe për investime tjera në fushën e efiçiencës dhe energjisë elektrike, dhe jemi në hulumtim edhe për mundësi tjera financimi nga grantet dhe donatorët. Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni