Kreu Financa Këto janë gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Këto janë gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

nga Kontabilisti

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 109-të me radhë, në të cilën:

U dha mendimi i Qeverisë lidhur me nismën legjislative për “Projektligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore”. Ajo vlerëson se Nisma Legjislative është në pajtim me legjislacionin në fuqi që rregullon këtë fushë, si dhe rregullon më gjerësisht të drejtën dhe detyrimin e institucioneve në lidhje me mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore

U dha mendimi i Qeverisë lidhur me Nismën Legjislative për “Projektligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor”. Nisma legjislative është përcaktuar që Projektligji duhet të analizohet hollësisht në mënyrë që të adresohen rekomandimet e dhëna si dhe të harmonizohet me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me qëllimi të jetë rritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe të përcaktohen bazat kryesore të ndërsjella në marrëdhëniet dhe sjelljen e pjesëmarrësve dhe subjekteve tjera në trafikun rrugor.

U bë ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë Nr. 01/02 të datës 12.02.2020, ku me ç’rast shfuqizohet pika 3 dhe 4 e Vendimit Nr.01/02 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkak të rrethanave të ndryshuara ligjore. Pagat e sistemit gjyqësor, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese, kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm. Të gjitha pikat tjera të Vendimit Nr.01/02 të datës 12.02.2020 mbesin të pandryshuara.

U miratua Projektligji për Zyrtarët Publikë. Ky projektligj adreson problematikat me të cilat është përballur administrata jonë ndër vite dhe zbrazëtitë që ka ligji aktual. Me këtë projektligj po hapim administratën për të gjithë duke përfshirë nëpunësit brenda shërbimit civil, mërgatën tonë, profesionistët nga sektori privat dhe të rinjtë e të rejat tona.

U miratua Projektligji për Pagat në Sektorin Publik. Ky projektligj po krijon për herë të parë në Republikën e Kosovës sistemin e unifikuar të pagave. Ky sistem ka në thelb drejtësinë në rregullimin e pagës për të gjithë të punësuarit që paguhen nga dhe përmes buxhetit të shtetit

U miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC, për Zhvillim Ndërkombëtar. Marrëveshja e kredisë për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritjen ekonomike” kap vlerën prej 40 milionë dollarë, dhe paraqet një marrëveshje për mbështetjen bugjetore të drejtpërdrejtë për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

U miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore. Ky projektligj ka për qëllim reformimin dhe avancimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, për ofrimin e shërbimeve  cilësore mjeko ligjore dhe akreditimin e laboratorëve të këtij Instituti në pajtim me standardet ndërkombëtare. Çështjet që trajtohen në këtë Projektligj janë: përcaktimi i parimeve themelore të rregulluara sipas standardeve ndërkombëtare në organizimin, zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve mjeko  – ligjore si dhe përgjegjësit procedural dhe llogaridhënëse për kryerjen e ekzaminimeve mjeko – ligjore.

U miratua Analiza juridike për vlerësimin e bazës ligjore të akteve nënligjore të nxjerra nga Qeveria. Pas vazhdimit të punës në analizën e akteve juridike nënligjore, me këtë vendim shfuqizohen edhe 337 akte juridike nënligjore të cilave ju mungon baza dhe mbështetja ligjore.

U aprovua Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. Ky Protokoll është përgatitur si dokument pune dhe mjet praktik që përmban udhëzime se si duhet të ofrohen shërbimet për viktimat/ të mbijetuarat/ mbijetuarit e dhunës seksuale, duke mundësuar krijimin e përgjegjësisë institucionale përmes qasjes shumë sektoriale të koordinuar. Ai plotëson detyrimin për zbatimin e Konventës së Stambollit, legjislacionit në fuqi, si dhe Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026.

Filluan procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Zagreb/Kroaci dhe Dakar/Senegal. Me blerjen e objekteve të ambasadave në këto shtete do të rritet prezenca dhe aktiviteti diplomatik i Republikës së Kosovës në këto dy vende.

Arsim Tahiri u emërua Drejtori i Përgjithshëm në Shërbimin Sprovues të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë me mandat katër vjeçar.

U miratua vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Bursave të Arsimit të Lartë në Nivel të studimeve Master, ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Si qeveri jemi të përkushtuar të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë tanë për të studiuar në universitet prestigjioze. Në linjë me këtë, dje ministrja Nagavci ka nënshkruar vendimin për ndarjen e 43 bursave për studentët e doktoratës të cilët studiojnë në top 500 universitetet botërore.

U miratua nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Evropiane për Investime, për projektin “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10 – B”. Marrëveshja siguron një kredi në vlerën totale prej 38 milionë eurove për realizimin dhe finalizimin e punimeve në këtë projekt.

U miratua Nisma për negocimin e Kornizës së Partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për “Bashkëpunim të shtuar për Zhvillim”. Qeveria e Danimarkës, sipas marrëveshjes, do të mbështes projektet dhe programet përkatëse në këtë kornizë, në vlerën prej 30 milionë eurove, në periudhën pesëvjeçare 2022-2026.

U mor Vendimi për caktimin e vlerës së shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në shtojcën 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2015 për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara. Dogana e Kosovës gjatë vlerësimit, analizës dhe hulumtimeve të bëra ka evidentuar se kostot e shpenzimeve të transportit detar në nivel global të shpenzimeve kanë pësuar rënie të theksuar, kryesisht si rezultat i rrënjës së vëllimit tregtar. Në këtë drejtim, me qëllim të ndjekës dhe harmonizimit të çmimit të transporti detar, Dogana e Kosovës ka rekomanduar rishikimi e shpenzimeve të transporti detar.

U miratua Plani i Zbatimit të Garancisë Rinore. Plani do të mundësojë zbatimin e veprimeve të bashkërenduara në disa fusha, si: arsimi dhe trajnimi, puna dhe punësimi, mbrojtja sociale dhe rinia; do të maksimalizojë përdorimin e fondeve në dobi tët rinjve; dhe forcimin e kapaciteteve të akterëve kryesorë për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave të punësimit të të rinjve. Ai paraqet një katalizator për të përafruar kornizën e politikave të punësimit të të rinjve në Kosovë me parimet e Garancisë Rinore, e cila zbatohet në vendet e Bashkimit Evropian.

U ndan 500 mijë euro për Organizatat Jo- Qeveritare të cilat ofrojnë shërbime sociale për të siguruar mbulueshmëri gjatë fazës tranzitore për realizimin e procedurave për shpallje të thirrjeve publike të mbështetjeve për vitin 2023. Përfitues të drejtpërdrejt do të jenë 43 entitete të ndryshme.

U ndan 287 mijë euro për kompensim të njëhershëm të ish- delegatëve të Kuvendit të Kosovës që shpallen Pavarësinë dhe Kushtetutën e Kosovës në Kaçanik në vitin 1990. Shuma do të ndahet proporcionalisht për të gjithë delegatët që janë gjallë ndërsa për delegatët e vdekur do të përfitojnë familjarët sipas ligjit për familjen.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni