Kreu Ekonomi Kosovarëve po iu transferohen para në Trust, Ministria sqaron arsyen

Kosovarëve po iu transferohen para në Trust, Ministria sqaron arsyen

nga Flamur Berisha

Qytetarët e vendit i kanë kthyer sërish sytë kah Fondi i Kursimeve Pensionale. Shumë prej tyre kanë njoftuar se iu janë transferuar para në llogaritë e tyre në TRUST, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Për arsyen e transferimit të këtyre mjeteve nëpër xhirollogaritë e qytetarëve, janë deklaruar nga Ministria.

Në një përgjigje për Gazetën Express, MEA’ja ka thënë se pagesa e Trustit Pensional është bërë në bazë të listave të personave të shpallur përfitues të Pakos Fiskale Emergjente.

 “Pagesa e Trustit Pensional është bërë në bazë të listave të personave të shpallur përfitues të Pakos Fiskale Emergjente dhe nuk ka mundësi, që në këto pagesa të jenë përfshirë persona që nuk kanë qenë pjesë e Pakos. PFE është hartuar dhe vërtetuar nga Komisioni Ndërministror, bazuar në Planin Operativ të PFE i miratuar në Qeverinë e Kosovës”, kanë deklaruar nga ministria.

Ndërkohë, për deklarimet e disa qytetarëve se iu janë transferuar këto mjete pavarësisht se s’kanë qenë përfitues të pakos, në këtë institucion thonë se nuk ekziston një mundësi e tillë.

“Mundësia për tu përfshirë në pagesën e kontributeve, të personave që nuk kanë qenë pjesë e listave nuk ekziston, sepse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk ka përzgjedhur përfitues, por vetëm ka bërë ekzekutimin e pagesave për përfituesit e Pakos Fiskale Emergjente të shpallur nga Komisioni Ndërministror. MEA, në këto pagesa, nuk ka pasur një bazë të dytë të të dhënave të regjistrit civil që të mund të fuste në këto të lista persona tjerë”, kanë sqaruar nga ministria.

Sipas MEA’së, në listën e përfituesve që iu është bërë pagesa e kontributeve kanë qenë mbi 178 mijë të punësuar.

“Në listat e përfituesve, që iu është bërë pagesa e kontributeve në Trustin Pensional, kanë qenë mbi 178 mijë të punësuar, nga ta mbi 1000 (njëmijë) kanë qenë pensionist (që janë larguar nga pagesa e kontributeve –sipas Ligjit) dhe mbi 13 000 (trembëdhjetëmijë) prej aplikuesve iu kemi përmirësuar të dhënat e tyre për emrat apo mbiemrat ngase gjatë aplikimit disa nga të dhënat e tyre janë dhënë gabim”, thuhet në përgjigjet e ministrisë drejtuar gazetës.

Ndryshe, me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, qytetarëve të vendit iu ishte mundësuar tërheqja e 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti.

Aplikimi vazhdon të jetë i hapur edhe tash.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni