Kreu Biznes Kredi pa kamatë – kështu funksionojnë bankat islame në Kosovë

Kredi pa kamatë – kështu funksionojnë bankat islame në Kosovë

nga Flamur Berisha

Kredi pa kamatë”, kjo është motoja e disa prej institucioneve mikrofinanciare në Kosovë që përdorin rregullat islame të bankimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Start” dhe “IFJB TIMI Invest” janë dy institucione financiare që lëshojnë kredi pa kamatë për klientët e saj.  

“IFJB TIMI Invest” ka filluar funksionimin që nga viti 2011. 

Zyrtari për media i këtij institucioni, Berat Obertinca i ka thënë Gazetës Sinjali se, “IFJB TIMI Invest” ofron deri në 400 mijë euro kredi pa kamatë për klientët e saj, teksa ka shtuar se, kjo bankë funksionon sipas ligjeve dhe rregulloreve të aprovuara nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Timiinvest ka filluar funksionimin nga viti 2011. Po Timiinvest është i licencuar nga BQK. Shuma Maksimale që ofrohet për klientet tane është 400,000.00 €. IFJB Timiinvest funskionon sipas ligjeve dhe rregulloreve të aprovuara nga Banka Qendrore e Kosovës për IFJB . Po Timiinvest është i licencuar nga BQK”, ka thënë Obertinca. 

Ndryshe nga “IFJB TIMI Invest”, banka tjetër e këtij lloji “Start”, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

Aktualisht, në Kosovë janë vetëm këto dy institucione financiare që e aplikojnë këtë model, porse shumë pak dihet për mënyrën e funksionimit të tyre. 

Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Bankën Qendrore të Kosovës për t’i pyetur rreth licencimit dhe funksionimit të këtyre institucioneve bankare.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë se, të dy institucionet bankare janë të licencuara nga BQK-ja, njëra si institucion mikrofinanciar (Organizatë joqeveritare) dhe tjetra si institucion financiar jo bankar (Shoqëri Aksionare).

“Dy institucionet e lartcekura janë të licencuara nga BQK-ja. Njëra ka licencë të funksionoj si Institucion mikrofinanciar (Organizatë joqeveritare) dhe tjetra si Institucion financiar jo bankar (Shoqëri Aksionare). Ato kanë licencë për të kryer veprimtarinë e kredidhënies dhe praktikojnë shërbime financiare islamike”,ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se, veprimtaria e këtyre bankave është e rregulluar në dispozitën e nenit 44 paragrafi 1, nënparagrafi 1.17 te Ligjit  Nr. 04/L-093 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet  Financiare Jobankare

Financimi islamik ose veprimtaria bankare islamike, është e përcaktuar në dispozitën e nenit 44 paragrafi 1, nënparagrafi 1.17 te Ligjit  Nr. 04/L-093 për Bankat Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet  Financiare Jobankare, sipas të cilës me pëlqimin e BQK-se dhe sipas këtyre kushteve dhe në pajtueshmëri me rregulloret që mund të përcaktohen nga BQK-ja, bankat mund te autorizohen për tu angazhuar edhe në veprimtarinë bankare Islamike. Përveç kësaj dispozite BQK-ja nuk na nxjerre ndonjë instrument tjetër rregullator që e rregullon veprimtarinë financiare sipas rregullave islamike”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, Ahmeti ka shtuar se, nuk ka ndonjë procedurë të veçantë rreth të licencimit të këtyre bankave të bazuara në atë se a ushtrojnë shërbime në baza fetare apo konvencionale.

Legjislacioni aktual në fuqi nuk përcakton procedura të veçanta të regjistrimit (licencimit) të institucioneve financiare jobankare apo institucioneve mikrofinanciare të bazuara në atë se a ushtrojnë këto institucione financiare shërbime në baza fetare apo të ashtuquajtura konvencionale. Për më shumë informata rreth procedurave të regjistrimit (licencimit) të institucioneve financiare Jobankare dhe institucioneve mikrofinanciare, ju lutem referojuni Kreut II të Ligjit nr. 04/L-093, për Bankat Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare. Kapitullit II të Rregullores për regjistrimin e Institucioneve Financiare Jobankare, Nenet 3 – 9 të Rregullores për Regjistrimin e Institucioneve Mikrofinanciare si dhe Manuali për regjistrimin e institucioneve mikrofinanciare dhe institucionet financiare Jobankare”, ka thënë Ahmeti.

Në fund, Ahmeti ka bërë të ditur se, në BQK nuk ka asnjë institucion tjetër financiar që ushtron veprimtari të tilla e që ka aplikuar për marrjen e licencimit.

 “Ju njoftojmë se deri më tani nuk ka aplikuar formalisht në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, asnjë institucion tjetër financiar për të ushtruar veprimtari të tilla”, ka thënë Ahmeti për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, sipas të dhënave, këto dy institucione bankare që aplikojnë rregulla islame të bankimit, ofrojnë dy lloje kredish financiare për qytetarët. 

E para është hua bamirëse me të vetmen kosto, shumën prej 60 eurosh në emër të taksës administrative. 

Ndërkaq, pakoja e dytë financiare është edhe financimi i shit-blerjes ku bankat në fjalë financojnë mallin të cilin klienti e zgjedhë vet.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni