Kreu Ekonomi Kur do të fillojë shperndarja e parave tek bizneset nga pakoje për rimekëmbje ekonomike?

Kur do të fillojë shperndarja e parave tek bizneset nga pakoje për rimekëmbje ekonomike?

nga Flamur Berisha

Qeveria në detyrë e Kosovës, javën e ardhshme do të fillojë së zbatuari masën e parë nga Programi i rimëkëmbjes ekonomike, që u prezantua të premten nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Transferiimi i mjeteve mendohet te filloje ne fund te muajit Janar ose ne fillim te muajit Shkurt 2021.

Kjo masë arrin vlerën prej 6.5 milionë eurosh që përfitojnë të vetë-punësuarit, (avokatët, rrobaqepësit, këpucëtarët, etj) që llogariten të jenë deri në 21 mijë, të cilët nuk kanë përfituar nga pakoja e kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.

Pas kësaj, për muajin janar do të shpërndahen edhe shtesat për pagat e punëtorëve të sektorit të Shëndetësisë dhe atyre të Policisë së Kosovës. Me rritje prej 30 eurosh, në këtë muaj do t’i marrin pensionet e tyre qytetarët mbi moshën 65 vjeç, që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj. Edhe skemat sociale për këtë muaj do të shpërndahen të dyfishuara.

Zbatimi i masave tjera varet nga caktimi i kritereve nga ministritë përkatëse.

Bajrami tha se në bazë të Gjykatës Kushtetuese, qeveria është në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re, kështu që, sipas saj, qeveria aktuale ka të gjitha kompetencat ligjore, për zbatimin e buxhetit të këtij viti.

“Masat që kemi shpërndarë të premten, ky është planifikim sepse edhe buxheti është projeksion, pra mjetet qysh vijnë në buxhet edhe shpenzohen”, tha Bajrami.

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim mund të zbatohen pasi ka qenë në kuadër të Ligjit për buxhetin e Kosovës, që është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe se ligji është në fuqi.

Megjithatë, ai shprehet se qeveria e re e zgjedhur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, mund të rishikojë vendimet e qeverisë në detyrë.

“Kjo ndoshta nuk ka nevojë të shihet si fushatë, nëse e lejon ligji dhe e kërkon ligji një veprim të tillë, gjithçka është në rregull”, thekson Spahija.

Qeveria në detyrë e Kosovës, të premten njoftoi se janë aprovuar 16 masat për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej 222.4 milionë eurosh për sektorë të ndryshëm në emër të rimëkëmbjes ekonomike. Në këto masa përfshihen ndihma për sektorin privat, shëndetësor dhe skema sociale.

Vlera më e madhe, prej 50 milionë eurosh është ndarë për sektorin e Shëndetësisë, 40 milionë euro për blerjen e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 dhe 10 milionë euro për blerjen e aparateve të tjera mjekësore për menaxhim të pandemisë.

Më shumë se 45 milionë euro janë ndarë për mbulimin e kostos së tarifës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, 12 milionë euro për sektorin e Bujqësisë, 11 milionë euro shtesa në pagë për sektorin që bart barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë.

Me këtë vendim janë rritur për 30 euro edhe skemat pensionale për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj. Kjo rritje do të vlejë për tre muajit e ardhshëm. Kurse, vlera e skemave sociale është dyfishuar.

Hoti tha se tashmë obligohen ministritë përkatëse që t’i përgatisin shpejt udhëzimet dhe kriteret e nevojshme për shpërndarjen e kësaj shume.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni