Kreu Ekonomi Ky është njoftimi i fundit nga Banka Qendrore e Kosovës

Ky është njoftimi i fundit nga Banka Qendrore e Kosovës

nga Flamur Berisha

Përballja me pandeminë COVID-19 dhe ndërmarrja e masave për menaxhimin e krizës shëndetësore ndikuan që aktiviteti ekonomik i bizneseve të bie në Kosovës. Kështu thotë Banka Qendrore e Kosovës në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i tretë 2020“, duke shtuar se u godit sektori i hotelerisë, tregtisë e ndërtimtarisë.

“Në baza sektoriale, nё gjysmën e parё tё vitit 2020, rënien mё tё lartё e shënuan sektori i hoteleve dhe restoranteve me 39 pёr qind, ndërtimtarisë me 35.5 për qind, transportit dhe magazinimit me 33.1 pёr qind, aktiviteteve administrative dhe mbështetëse me 22.8 pёr qind dhe tregtisë me 5 pёr qind”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, rritje të aktivitetit ka pasur sektori i informimit, shëndetësisë dhe furnizimit me energji elektrike.

“Nё anën tjetër, rritja mё e lartё ёshtё shënuar tek sektori i industrisë përpunuese me 15.7 pёr qind, informimit dhe komunikimit me 15.7 pёr qind, furnizimit me energji elektrike dhe gaz me 12.8 pёr qind), shëndetësisë dhe punës sociale me 11.1 pёr qind dhe industrisë nxjerrëse me 5.8 pёr qind”, thotë BQK.

Përkundër hapjes sё ekonomisë, Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se trendi i rënies sё aktivitetit ekonomik ka vazhduar edhe nё tremujorin e tretë 2020.

“Këto vlerësime mbështeten nё rënien eksportit tё shërbimeve në periudhën raportuese, rënien e shpenzimeve kapitale tё Qeverisë dhe rënien e investimeve të huaja direkte. Indikacion i rënies së kërkesës së brendshme është edhe rënia e importit të mallrave prej 9.3 për qind në tremujorin e tretë 2020. Në anën tjetër, remitancat kanë shënuar rritje edhe gjatë këtij tremujori”, citohet në raport.

BQK ka treguar se edhe Indeksi i Çmimeve të Konsumit shënoi rritje të ngadalësuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Indeksi i Çmimeve të Konsumit shënoi rritje të ngadalësuar prej 0.3 për qind deri në shtator 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kur ishte shënuar rritje prej 3 për qind. Duke filluar nga muaji korrik 2020 është shënuar rënie e çmimeve dhe mesatarja e deflacionit në tremujorin e tretë 2020 ishte 0.4 për qind”, tregon BQK, përcjell Telegrafi.

Pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e kërkesës vendore, duke ndikuar në rënien e të hyrave tatimore direkte për 6.3 për qind gjatë tremujorit të tretë 2020.

“Të gjitha kategoritë e të hyrave tatimore direkte shënuan rënie. Tatimi në të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimi në të Ardhurat Personale, si dy kategoritë kryesore të të hyrave tatimore direkte, shënuan rënie prej 2.5 për qind përkatësisht 3.7 përqind”, thuhet në raport.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni