Kreu Biznes Lajm i mirë nga ATK!

Lajm i mirë nga ATK!

nga Flamur Berisha

KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK renditet e para në Raportin e OECD-së

Administrata Tatimore e Kosovës është vlerësuar më së miri në Raportin e OECD-së mbi Konkurrencën në Evropën Juglindore 2021, në këto fusha: në tiparet, funksionet dhe organizata; në vlerësimin e përmbushjes dhe menaxhimin e rrezikut; pavarësinë dhe transparencën; deklarimin tatimor dhe procedurat e pagesës; shërbimet ndaj tatimpaguesve.
Në këtë raport përfshihen gjashtë vende të Evropës Juglindore, si: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

Raporti vlerëson në mënyrë gjithëpërfshirëse reformat e politikave në ekonomitë e Evropës Juglindore. Ky raport synon t’u ofrojë politikëbërësve të Evropës Juglindore një mjet krahasimi shumëdimensional, duke u mundësuar atyre të krahasojnë performancën ndaj kolegëve rajonalë si dhe praktikat e mira të OECD dhe të hartojnë politikat e ardhshme bazuar në prova të pasura dhe rekomandime të veprimit të politikave.

Në përgjithësi, ekonomitë e Evropës Juglindore kanë bërë përpjekje të rëndësishme për të forcuar administratat e tyre tatimore, me rezultatin mesatar duke u rritur nga 2.4 në 2018 në 3.3 në 2021. Ka pasur përmirësime të ndjeshme në shërbimet e tatimpaguesve, regjistrimin e tatimeve dhe pavarësinë dhe transparencën. Rezultatet më të larta në të gjitha fushat i ka arritur Kosova .

ATK është gjithnjë e më efikase dhe vazhdon të unifikojë mbledhjen e tatimeve dhe të gjitha funksionet kryesore të një administrate tatimore. Tutje, në këtë raport ATK, vlerësohet lartë për zbatimin e funksionit të hetimit të mashtrimeve tatimore; mbikëqyrjen e vlerësimit të përmbushjes tatimore dhe menaxhimin e rrezikut, dhe avancimin e shërbimeve elektronike ku një pjesë e madhe e deklarimit dhe pagesës se tatimeve tani kryhen online, përmes një platforme të sofistikuar.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni