Kreu Financa Lajm jo i mirë vjen nga Trusti

Lajm jo i mirë vjen nga Trusti

nga Kontabilisti

Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare. Kështu një krizë e tillë pashmangshëm ka goditur edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti), si rrjedhojë e investimit të këtij fondi në tregjet në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarë të Trustit kanë konfirmuar për se si pasojë e kësaj krize në tregjet ndërkombëtare financiare, Trusti ka pësuar rënie prej 90 milionë euro.

Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi thotë se agresioni ushtarak rus ka prekur edhe pjesën e investimeve të Trustit me një tkurrje përreth 4 për qind.

“Kemi një reduktim të vlerës së përgjithshme të Fondit me rreth 90 milionë euro deri më tani ose rreth 4 për qind. Por, duke qenë se jemi pas një viti me rritje shumë të lartë në vitin 2021 u ngritëm me gati 11 për qind ose rreth 220 milionë euro kthim nga investimet, ende kemi hapësirë për t’u mos u alarmuar përkundër që masat e mara nga bordi drejtues dhe monumenti kanë qenë në nivel të detyrës së shqetësimit dhe ndjeshmërisë së situatës së re. Gjithçka në jetën tonë po preket shumë më fuqishëm se sa mjetet pensionale, kështu që shumë çka po na kushton shumë më shtrenjtë. Fjalori i përdorur së fundmi nga liderët e shteteve bërthamore përfshirë sidomos Rusinë që ka përmendur mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore është një alarm shumë i fortë dhe që prek sigurinë dhe cenon sigurinë investuese globale. Andaj, lëvizjet, rëniet e vlerës për momentin janë të pritshme dhe të arsyeshme për situatën që kemi”, u shpreh Demi për KosovaPress.

Sipas tij, pozicionimi i fundit gjeografik i Trustit për investime ka qenë me prezencën më të lartë në tregun e Evropës dhe pak të ulët në SHBA.

Megjithatë, Demi thotë se kanë marrë një vendim të rëndësishëm për t’u mos u afektuar të paktën kontribuuesit që tani më janë në prag të pensionimit.

“Zgjidhjet e ofruar nga bordit dhe menaxhmenti në këtë rast, është që të gjithë kontribuuesit që kanë arritur moshën 63.5 vjeçare më 16 shkurt të këtij viti do të kalojnë në një plan investues konservativ dhe mjetet e tyre nuk do të prekën nga lëvizjet në tregjet financiare ndërkombëtare, do të jenë pjesë e investimeve tona në bonot e thesarit të Kosovës të cilat historikisht kanë pasur një kthim nga investimet rreth 3 për qind. Pra, kjo është masa më e re që ka qenë e projektuar dhe e punuar për disa vjet nga Trusti, që të kemi mbrojtje më të lartë të kontribuueseve që janë më afër pensionit dhe që nuk kanë kohë të rikuperojnë rëniet ose luhatjet eventuale”, përfundon ai.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë me urdhër të presidentit Vladimir Putin.Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore. Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni