Kreu Biznes Mbi 200 biznese kërkojnë kompensimin financiar për punëtorët

Mbi 200 biznese kërkojnë kompensimin financiar për punëtorët

nga Flamur Berisha

Mbi 200 biznese deri tash kanë aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për rreth 700 punëtorë për të përfituar nga vendimi i Qeverisë lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

ATK thotë se përmes sistemit elektronik EDI, punëdhënësit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së Ringjalljes.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa se për masën 1.1, rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë COVID-19, subvencionimi i pagës deri 50 për qind të pagës mujore bruto për tre muaj, kanë aplikuar 63 punëdhënës për 149 punëtorë.

Ndërsa, për masën 1.2, mbështetja për të punësuarit e formalizuar, që parasheh subvencionimin e e kontributit pensional në vlerë prej 10 përqind të pagës bruto mujore për më së shumti 12 muaj, duke filluar nga muaj korrik deri në muajin qershor 2022, kanë aplikuar 62 biznese për 274 punëtorë.

“Për masën 1.1 kemi pasur 63 kërkesa me rreth 149 punëtorë, pra për të përfituar nga masa 1.1. Ndërsa, për masën 1.2 kemi 62 kërkesa me 274 punëtorë dhe për masën 1.3 kemi 144 kërkesa me 242 punëtorë. Totali i të gjitha kërkesave dhe punëtorëve të cilët kanë kërkuar për t’u subvencionuar nga masat të cilat ne kemi ndikim në zbatim është 226 kërkesa me 666 punëtorë”, thekson ajo për KosovaPress.

Bytyqi-Sefa thotë po ashtu se për masën 1.3 të kësaj pakoje, mbështetja e punësimit të grave, që parasheh subvencionim të pagës deri në 50 përqind të pagës bruto mujore për tre muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës tremujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur.

“Te mbështetja e punësimit të grave kemi diku 144 kërkesa me 242 punëtorë, që i bie se janë të gjitha gra, sepse bëhet fjalë për masën 1.3… Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë shqetësim, ndonjë ankesë për mosfunksionim të platformës të cilën e kemi krijuar dhe mjete do të dalin gradualisht në kuadër të kritereve që janë paraparë. Sepse edhe kriteret janë paraparë nëpër muaj si për mbështetjen 50 përqind të pagës në masën 1.1, më pas tek mbështetja e kontributeve pensionale. Pra, nuk janë mjete të cilat dalin në momentin kur aplikon, por nëpër muaj”, deklaroi Bytyqi-Sefa.

Masat nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike kanë nisur të zbatohen menjëherë pasi ka hyrë në fuqi vendimi nga Ministria e Financave, nga data 6 gusht, ndërsa aplikimi është i hapur deri më 15 tetor 2021 në orën 24:00. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni