Kreu Ekonomi Mblidhet Qeveria, këto janë të gjitha vendimet qe jane marrur sot (Dokument)

Mblidhet Qeveria, këto janë të gjitha vendimet qe jane marrur sot (Dokument)

nga Flamur Berisha

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, raporton Kontabilisti

Në këtë mbledhje janë marrë disa vendime.

Qeveria në detyrë përmes një komunikate ka dhënë detaje lidhur me këto vendime.

Komunikata e plotë:

E drejtuar nga Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhja e 61-të me radhë e Qeverisë, në të cilën janë miratuar vendime dhe dokumente nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Pas shqyrtimit është aprovuar Raportit preliminar financiar për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2020. Sipas Raportit pranimet gjatë vitit 2020 kapin shumën prej 2,204.68 milionë euro, që janë 85% të pranimeve vjetore të planifikuara dhe në krahasim me vitin paraprak ka një ulje prej 1%. Ndërsa pagesat gjatë këtij viti kanë qenë 2,329.87 milionë euro dhe paraqesin 83% të pagesave të planifikuara, ndërsa në krahasim me vitin paraprak shënojnë një rritje prej 8%.

Qeveria ka miratuar një vendim për ndarjen e mjeteve financiare për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Mal të Zi. Sipas vendimit janë ndarë mjete financiare në shumë prej 10,000 (dhjetë mijë) euro.

Kabineti qeveritar ka ndarë gjithashtu mjete financiare në vlerë prej dyqind mijë euro (200,000,00 €), për sanimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Bujanocit.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit  Përzgjedhës  për rekomandimin e  kandidatëve për anëtar në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit në këtë përbërje:

1.      Izedin Bytyqi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kryesues;

2.      Iber Alaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, anëtar;

3.      Besim Kamberaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, anëtar;

4.      Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, anëtar;

5.      Lulzim Ejupi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe vendimi për aprovimin e ndryshimeve në Tabelat 3.1, 3.2, 4.1 dhe 4.2 të Ligjit Nr. 07/L-041 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare në bazë të paragrafit 2 të nenit 9 të këtij Ligji. Vendimi obligon komunat dhe ministritë e ndikuara nga ky vendim, për zbatim të tij. Vendimi do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim.

Qeveria ka ndarë mjete buxhetore për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në shumën prej 12 milionë eurove në nën programin e Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”.

Gjithashtu në mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin  dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/33, të datës 28 shtator 2020, për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) në sektorin e bujqësisë, Masës 4A – dyfishimi i buxhetit për Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020. Sipas ndryshimit, pika 1 e këtij vendimi riformulohet si në vijim: “Me qëllim të zbatimit të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në sektorin e bujqësisë, Masa 4A- dyfishimi i buxhetit për Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020, dyfishohen vlerat e pagesave direkte (subvencioneve) për secilën kulturë të paraparë në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019. Për subvencionimin e litrit të verës së prodhuar gjatë vitit 2020 dhe të deklaruar zyrtarisht deri në datën 15.01.2021, dyfishimi nga 4 centë në 8 centë, do të përfshihet në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2021.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 06/58, të datës 14.01.2021. Sipas vendimit ndryshohet dhe plotësohet nën-paragrafi 1.7. (MASA 7) i Vendimit të Qeverisë Nr. 06/58, të datës 14 janar 2021, ashtu që riformulohet si në vijim: “Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në nën-programin Departamenti i Politikave Bujqësore, do të ndahen mjete në shumë prej 12,000,000 € (dymbëdhjetë milionë euro) sipas kritereve dhe procedurave të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2020”.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është ndryshuar dhe plotësuar edhe  Vendimi i Qeverisë Nr. 01/37 i datës 24.10.2020 për emërimin e Bordit të Përkohshëm të N. P. “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës – KEK” Sh. A. Sipas këtij ndryshimi dhe plotësimi z. Muhamet Lama është emëruar anëtar në Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve në këtë ndërmarrje publike, deri në përzgjedhjen e Bordit me mandat të plotë.

Në mbledhje është miratuar vendimi për autorizimin e Klinikës së  Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera që ndërlidhen me çështjen e protezave për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme, e cila preket nga Restaurimi dhe Konservimi i Objektit ‘’Shtabi i UÇK-së në Kosterc’’ në Komunën e Skenderajt.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Këshilli Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të Pavarësisë do të ketë këtë përbërje:

1.      Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesuese; 

2.      Përfaqësues, Ministria e Mbrojtjes, anëtar; 

3.      Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar; 

4.      Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar dhe 

5.      Përfaqësues  i Zyrës së Kryeministrit, anëtar;

Ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill:

1.      Përfaqësues, Zyra e Presidentit, anëtar;

2.      Përfaqësues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;

3.      Përfaqësues, Komuna e Prishtinës, anëtar; 

4.      Kryetarët e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar;

5.      Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar dhe

6.      Përfaqësues të OJQ-ve. 

Për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës ndahen mjete financiare në vlerë prej 70. 000 (shtatëdhjetëmijë) euro/ GE

Ju gjithashtu mund të pëlqeni