Kreu Ekonomi Mblidhet qeveria. Merr keto vendime te rendesishme

Mblidhet qeveria. Merr keto vendime te rendesishme

nga Kontabilisti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të mbajtur në formë elektronike ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

“Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Qeveria ka vendosur që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Një pikë tjetër që është vendosur në mbledhjen e sotme të Qeverisë është edhe çështja e ngjitësve të targave të automjeteve, që sipas njoftimit, është shtyrë afati deri në tetor 2022.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se automjetet me targa të Serbisë që kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin ne pjesën e simboleve shtetërore, e që do të vlejë deri në 31 tetor 2022.

“Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni