Kreu Ekonomi Ministria e Financave tregon se kur do të shpërndahen mjetet e rimëkëmbjes ekonomike

Ministria e Financave tregon se kur do të shpërndahen mjetet e rimëkëmbjes ekonomike

nga Flamur Berisha

Qeveria në detyrë e Kosovës brenda kësaj jave pritet që të marrë një vendim lidhur me shpërndarjen e mjeteve të parapara në buxhetin e këtij viti për rimëkëmbje ekonomike.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se së pari do të merret një vendim i përgjithshëm në Qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për tërë shumën prej 222.4 milionë euro.

“Në këtë vendim mjetet të cilat nuk janë të dedikuara për qëllime të caktuara do të ndahen nëpër institucione për zbatimin e masave të caktuara në mbështetje të biznesit, individëve dhe ministrive/komunave të cilat mbulojnë fusha të caktuara”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pakos ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.

Ka thënë se “bizneset dhe qytetarët duhet të presin ministritë e linjës për t`u informuar për mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde, kriteret që duhet plotësuar për të qenë përfitues dhe kohën e aplikimit nëse nevojitet aplikim”.

Prioritetet sipas tij, për fillim do të kenë fusha në të cilat është domosdoshëm fillimi i zbatimit të masave siç është arsimi, vijimi i pagesave për shtesa për sektor të caktuar, pagesat për të vetëpunësuarit dhe ata që kanë humbur vendet e punës.

“Gjatë vitit 2021 do të ketë zbatim të plotë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Fillimi i zbatimit të masave pritet të fillojë gjatë janarit të këtij viti. I tërë procesi i implementimit do të zbatohet në mënyrë transparente”, ka thënë ai.

Ka shtuar se nenet e caktuara të ligjit për rimëkëmbje ekonomike që nuk kanë kërkuar ndarje buxhetore kanë filluar së zbatuari që pas aprovimit të ligjit në dhjetor 2020 si: tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional, lirimet tatimore etj.

Por, që pjesët tjera të ligjit fillojnë së zbatuari me fillimin e ekzekutimit të buxhetit për vitin 2021 sipas mundësive buxhetore.

Në buxhetin për 2021 parashihen 106.1 milionë euro për subvencione dhe transfere sipas Ligjit për rimëkëmbje, 20 milionë prej të cilave do t’i alokohen SHKSUK-së për qëllime të menaxhimit të pandemisë.

Totali për rimëkëmbje ekonomike kap shifrën prej 222.4 milionë eurosh, ku përfshihet sektori privat, punëtorët, një pjesë për shëndetësi si dhe një pjesë për fondin për garantimin e kredive.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni