Kreu Biznes Mobilizohen Komunat: Gjobisin marketet që shtrenjtuan çmimet

Mobilizohen Komunat: Gjobisin marketet që shtrenjtuan çmimet

nga Kontabilisti

Shteti është vënë në aksion për të identifikuar bizneset që kundërligjshëm po i rrisin çmimet e produkteve në kohë krize.

Në vendin tonë, përgjatë javës së dytë të marsit pati ngritje të pakontrolluar të shumë produkteve ushqimore. “A ka Kosova inspektorë?” – ishte njëra ndër pyetjet e shpeshta në rrjete sociale të enjten më 10 mars, pasi çmimi për një litër vaj, brenda natës, nga 2.19 euro u bë 3.49 euro. Ani se më 4 mars, mesatarja e çmimit për një litër vaj ishte rreth 1.70 euro.

E gjithë kjo ngritje e pakontrolluar u bë kokë më vete nga shumë markete kosovare. Gjithçka nisi nga marketet e mëdha.

Duke e parë panikun që u krijua tek qytetarët e duke i parë pamjet në media të rendit të qytetarëve për të blerë vaj e miell, shteti më në fund u mobilizua.

Tri ditë pas panikut të krijuar në popull, vendosi të ndërhyjë.

Komunat, tashmë janë mobilizuar duke vënë në terren inspektorët për të identifikuar bizneset që po e keqpërdorin situatën duke i rritur çmimet.

Në komunën e Vushtrrisë inspektorët më në fund kanë dalur në terren duke realizuar disa inspektime në subjektet afariste.

Gjatë inspektimit është konstatuar shkelje; mungesë e faturave të furnizimit për 1500 litra vaj.

Në bazë të ligjeve në fuqi inspektorët kanë detyruar subjektet afariste që produktet në fjalë t’i largojnë nga tregu i shitjes.

Drejtoresha e Drejtorisë për Inspektime, Shqiponje Hajdari-Mikushnica, u bën thirrje të gjitha bizneseve që të veprojnë në përputhje me rregullat ligjore që e rregullojnë fushën e tregut, në të kundërtën do të ballafaqohen me sanksionet e parapara me ligj.

Edhe në Gjilan, inspektorët kanë dalë në terren. Këtë herë, çmime abuzuese kanë gjetur tek sheqeri.

Inspektori i tregut në Gjilan gjobit me 400 euro një market për shkak të mospërputhjes së çmimit të sheqerit.

“Duke reaguar sipas ankesës së një qytetari në lidhje me mospërputhjen e çmimit të reklamuar dhe atij që ka paguar në arkë, inspektorët komunalë kanë gjobitur me 400 euro një marketin Viva Fresh”

Çmimi i reklamuar i sheqerit në paketim 5 kilogramësh ka qenë 4.09 euro, ndërsa në arkë konsumatori ka paguar 4.19 euro.

E për shkak të kësaj mospërputhjeje, në bazë të ligjit për mbrojtje të konsumatorit, inspekcioni i ka shqiptuar gjobën shitësit.

Drejtoria e Inspekcionit Komunal në Gjilan i fton qytetarët që t`i paraqesin rastet, kur hasin në shkelje të tilla dhe i garanton ata se çdo ankesë dhe kërkesë do të trajtohet me seriozitet të plotë.

Inspektorati i Tregut në Kosovë ka njoftuar të enjten mbrëma se ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se disa operatorë kanë zbrazur dje (9 mars) raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse, sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër.

Ministria ka shtuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik sa i përket produkteve ushqimore esenciale.

Sipas njoftimit, “këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, dhe se Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”.

Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe organet tjera kompetente, do të ndërmarrin veprime ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike, të cilët ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimorë, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë./Nacionale.com/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni