Kreu Ekonomi Ndahën 11 milion euro për këtë kategori!

Ndahën 11 milion euro për këtë kategori!

nga Flamur Berisha

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten në seancë të rregullt plenare. Si pikë, do të jetë edhe shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Zyrtarë të KOSTT-it sqarojnë se rekomandimi i Komisionit për Ekonomi që i hap rrugë ndarjes së 11 milionë eurove përmes KOSTT-it për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore të Mitrovicës, bëhet i plotfuqishëm vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. KOSTT po ashtu tregoi nëse këto 11 milionë euro do të jenë për borxhin ndaj KEDS-sit dhe operatorit Elektro Sever.

Veprimi i mundshëm që lejon ndarjen e mjeteve nga KOSTT-i, po cilësohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) si diskriminues, i padrejtë dhe i papranueshëm. Ndërsa, në institucionin e Avokatit të Popullit nuk e kanë komentuar për KosovaPress rekomandimin e pagesës për rrymën në veri.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje po kundërshtohet edhe nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili thotë se po rrezikohet financiarisht KOSTT-i.

Zana Bajrami-Rama, menaxhere për Komunikim dhe Relacione me Publikun në KOSTT, thotë se sipas procedurave të parapara me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, rekomandimi i Komisionit Parlamentar paraqitet për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Sipas zëdhënëses, Bajrami-Rama, KOSTT është kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore dhe sipas Ligjit për Energjinë Elektrike të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Kosovës.

Në KOSTT po ashtu kanë thënë se me ndarjen e 11 milionë eurove për mbulimin e shpenzimeve të energjisë në veri, nuk rrezikohet financiarisht KOSTT-i, por edhe ritheksuan se zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është e domosdoshme.

“Sipas rekomandimit të Komisionit Parlamentar parashihet që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm. Shfrytëzimi i mjeteve të KOSTT, sipas rekomandimit të Komisionit Parlamentar, nuk rrezikon financiarisht KOSTT-in për këtë periudhë të paraparë tranzitore 6 mujore brenda së cilës parashihet që të zgjidhet çështja e veriut. KOSTT rithekson që është e drejtë e patjetërsueshme që të gjithë qytetarët e Kosovës të furnizohen me energji elektrike por edhe obligim i qytetarëve që të paguajnë shërbimin e pranuar. Andaj, zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër është e domosdoshme”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaPress nga Bajrami-Rama.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni