Kreu Ekonomi Në Fondin për menaxhimin e pandemisë kaq para janë grumbulluar deri më tani

Në Fondin për menaxhimin e pandemisë kaq para janë grumbulluar deri më tani

nga Flamur Berisha

Më 12 prill bëhet një vjet prej që ish-kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje diasporës t’i ofrojë ndihmë materiale Kosovës për t’u solidarizuar me situatën që po kalonte vendi me pandeminë Covid-19.

Ai u kishte kërkuar qytetarëve të Kosovës, rezidentë në vendet e tjera, të kontribuojnë për tejkalimin e situatës me pandeminë. Në nënllogarinë  e hapur, që është pjesë e sistemit të llogarisë së vetme të Thesarit dhe mbahet në Bankën Qendrore të Kosovës, deri më 31.12.2020 qenë mbledhur gjithsej 716 773.93 euro, mirëpo se a janë dhe si janë shpenzuar këto mjete ende nuk është bërë me dije nga Ministria e Financave dhe Transfereve

Në fondin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 që nga muaji prill i vitit të kaluar në Thesarin e shtetit janë grumbulluar 716 mijë e 773 euro e 93 centë. Prej kësaj shume 667,115.70 euro janë grumbulluar nga jashtë Kosovës (duke përfshirë jo vetëm mjetet nga diaspora, meqë ka pasur edhe donatorë institucionalë), kurse transferimet e brendshme (nga qytetarë brenda Kosovës) janë 49,658.23 euro.

Se a janë dhe si janë shpenzuar këto mjete ende nuk është bërë me dije, mirëpo nga Ministria e Financave dhe Transfereve kanë theksuar se duhet pritur derisa të publikohen pasqyrat vjetore financiare për vitin 2020 “Në aneksin nr. 23, nënllogaria e dedikuar për donacione dhe grante”. “Në përputhje me autorizimet nga LMFPP, Thesari i Kosovës ka hapur një nënllogari zyrtare bankare (XK051000400070008037) të dedikuar për pranimin dhe evidentimin e fondeve që dedikohen në luftën kundër pandemisë Covid-19 (kryesisht garantëve dhe donacioneve), me qëllim të rritjes së transparencës si dhe llogaridhënies sa më të lartë ndaj publikut si dhe partnereve tanë”, është thënë në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dërguar gazetës “Epoka e re”.

Ndërkaq numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018 vlerësohet të jetë mbi 850 mijë.

Të pyetur lidhur me origjinën e dërgesave prej cilave shtete ka më së shumti mjete, sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, deri më datën e raportimit 31.12.2020 janë gjithsejtë 716,773.93 euro të mbledhura. “Nënllogaria e hapur është pjesë e sistemit të Llogarisë së Vetme të Thesarit dhe mbahet në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe është aktive, në të cilën janë pranuar edhe mbështetjet buxhetore dhe kreditë ndërkombëtare për menaxhim të pandemisë. Deri me datën e raportimit (31.12.2020) janë mbledhur gjithsejtë 716,773.93 euro, prej të cilave 667,115.70 euro nga jashtë Kosovës (duke përfshirë, por jo vetëm mjetet nga diaspora, meqë ka pasur edhe donatorë institucionalë), kurse transferime të brendshme (nga qytetarë brenda Kosovës) janë 49,658.23 euro. Në këtë llogari janë pranuar edhe fonde të tjera që janë mbështetje buxhetore nga institucionet financiare ndërkombëtare, por që nuk janë të përfshirë në këtë shumë, meqë pyetja juaj ishte specifike”, është theksuar në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Kjo ministri ka theksuar se për më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje do të dihet kur të publikohen pasqyrat vjetore financiare për vitin 2020.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni