Kreu Ekonomi Nëse sot votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, keto jane perfitimet për biznese

Nëse sot votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, keto jane perfitimet për biznese

nga Flamur Berisha

Sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ndërsa në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Seanca do të nisë në ora 11:00.

Kjo seancë vjen pas pajtimit të Qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë Projektligj.

PDK për ta votuar këtë Projektligj ka kërkuar që të përfshihen edhe amendamentet e saj.

Amendamentet e propozuara janë:

Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së coronavirusit. Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19. Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.

Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i Brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.

Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

Projektligji përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës me anë të një njoftimi për media pati sqaruar se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.

“Pas miratimit në lexim të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thuhej në njoftimin e Trustit, përcjell Telegrafi.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni