Kreu Ekonomi Njoftim më rëndesi nga BQK-ja rreth keqpërdorimeve të kartelave bankare

Njoftim më rëndesi nga BQK-ja rreth keqpërdorimeve të kartelave bankare

nga Kontabilisti

Pas raportimeve për parregullsi dhe keqpërdorime të kartelave bankare, sidomos në sektorin e blerjeve online, Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me sqarim, duke u bërë thirrjeve qytetarëve të mos bëjnë panik, pasi sipas saj, sektori bankar është i sigurt.

Në një reagim të tyre, BQK ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, i kanë marrë masat që klientët të mos dëmtohen.

“Përkundër sfidave të ndryshme teknologjike, BQK në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike”, vijon njoftimi.

BQK e ka pranuar që ekziston rreziku ndaj ekspozimeve të sulmeve kibernetike, por ka siguruar që në rast të dëmtimit të klientëve, bankat do ta bartin koston e zhdëmtimit të klientëve.

“Gama e gjerë e produkteve që ofrojnë bankat, bart me vete edhe rrezikun e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike, mirëpo që në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Sipas BQK-së, nga viti 2018 deri më tani, numri i ankesave të qytetarëve për keqpërdorim të kartelave bankare është 139.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni