Kreu Financa Njoftim me rendesi nga Ministria e Financave

Njoftim me rendesi nga Ministria e Financave

nga Flamur Berisha

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove.

Sipas MFPT-së, për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit.

“Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit. Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga qeveria me datë 17 dhjetor 2019”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, sipas Ministrisë së Financave, segmenti në fjalë është vlerësuar me shumën prej 31,040,729 euro.

“Bazuar në tabelat e Departamentit të Tatimit në Pronë, segmenti në fjalë është vlerësuar me shumën prej 31,040,729 euro. Pas këtij vlerësimi, më 17 dhjetor 2019, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka proceduar propozim-vendimin në Mbledhje të Qeverisë për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti mirëpo me tabela tjera, e që për parcelat e njëjta në total kapin shumën për shpronësim prej 43,462,518 euro”, vijon njoftimi.

MFPT tregon se shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim.

“Në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga DTP, shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim. Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar, është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit”, përfundon MFPT.

Në fund, MFPT thotë se do të vazhdojë punën në mënyrë transparente e llogaridhënëse për të krijuar një sistem të qëndrueshëm e të besueshëm të menaxhimit të financave publike.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni