Kreu Ekonomi Njoftim më rëndesi nga Ministria e Financave dhe Ministria e Tregtisë

Njoftim më rëndesi nga Ministria e Financave dhe Ministria e Tregtisë

nga Kontabilisti

Kosova ka mjaftueshëm rezerva shtetërore, duke përfshirë miellin dhe naftën. Kështu kanë konfirmuar ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media, tha se vitin e kaluar dhe këtë vit shteti ka blerë naftë, mill, gjëra ushqimore dhe higjienike.

Shteti ynë me të gjitha veprimet e nevojshme ka arritur sasinë e rezervës shtetërore dhe kemi blerë mallra dhe naftë në vitin e kaluar për nevojat rezervë, po ashtu edhe në këtë vit. Pra kemi siguruar blerjen e mallrave për rezervë, duke u fokusuar me produktet sipas programit për rezervën shtetërore, që janë të listuara si produkte elementare, duke filluar nga gruri, nafta dhe produktet e tjera që janë ushqimore dhe detergjentet. Derisa në kontakt të vazhdueshëm me kultivuesit e grurit, me shoqatat e mullisëve, ata na sigurojnë që edhe për tre deri në gjashtë muaj, popullata jonë nuk ka nevojë të brengoset… Ju sigurojmë që kemi qëndrueshmëri të konsiderueshme për rezervën e grurit dhe mallrave dhe nuk ka aspak nevojë për panik. Gjithashtu, për çështje sigurie si alternativë tjetër kemi gjetur edhe kanale të tjera jashtë vendit, përveç mullisëve që i kemi në vend. Pra kemi edhe vendet mike që sigurojnë Kosovën që do të furnizojnë me rezerva shtesë pas disa muajve nëse do të ketë nevojë”, tha ministrja Hajdari.

Ajo shtoi se mallrat shtetërore janë sekrete dhe nuk tregohet as sasia dhe as nga cili vend vinë, pasi kontrata sipas ligjit është konfidenciale dhe mund ta rrezikojë furnizimin në të ardhmen.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se sot janë parë pranë mullive kolona të gjata për millë, por shtoi se nuk duhet të bëhet panik sepse janë të furnizuar mjaftueshëm.

“Duam t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për një sjellje të tillë, meqenëse jemi mirë të furnizuar dhe kemi siguruar edhe kanale të tjera. Për më tepër ne kemi ndarë edhe shumën, ditë më parë, prej 10 milionë euro për t’u furnizuar me rezerva shtetërore dhe konsiderojmë se nuk ka nevojë për imazhe të tilla, siç kemi parë sot”, tha ai.

Murati po ashtu bëri lutje për media dhe qytetarët që të kenë vigjilencë më shumë këto ditë me lajmet e rreme, të cilat mund ta influencojnë sjelljen tonë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni