Edhe 200 mjekë të Kosovës sot do të udhëtojnë për në Kukës për të marr dozën e parë të vaksinës anti-COVID.
Këtë lajm e ka konfirmuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
Ai ka thënë se 250 mjekët që u vaksinuan të shtunën e kaluar janë mirë me shëndet dhe se nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përpos reaksioneve normale.
“Për në Kukës do të udhëtojnë edhe 200 mantelbardhë për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Mjekët që u vaksinuan javën e kaluar janë të gjithë mirë. Nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përvec reaksioneve normale”, ka thënë Syla.
Për shkak se Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë dozat e para të vaksinës, qeveria e Shqipërisë ka ofruar mbështetje.
Vaksinimi bëhet në Kukës për shkak se kompanitë që prodhojnë vaksinën nuk lejojnë që ajo të nxirret jashtë vendit të kontraktuar.
Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka filluar një program vaksinimi.
Kryeministri Edi Rama është zotuar se Shqipëria do të marrë përsipër vaksinimin e të gjithë mjekëve kosovarë, që janë rre 11 mijë në total.