Kreu Biznes Njoftim më rëndesi nga Trusti

Njoftim më rëndesi nga Trusti

nga Kontabilisti

Zyrtarët e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur si TRUST, e kanë pranuar se investimet në këtë fond po përjetojnë periudhën më të rëndë këtë vit si rrjedhojë e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare. Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka pranuar se Trusti është duke pësuar humbje financiare.

Ditë më parë është raportuar se kriza globale ka ndikuar që Trusti të humb miliona euro të kursimeve të qytetarëve.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e investimeve të këtij institucioni përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro.

Për këtë çështje është deklaruar sot edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili k ka pranuar se Trust-i është duke pësuar humbje të kursimeve pensionale.

Sipas tij, në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve për shkak të krizës në tregjet ndërkombëtare.

“Duhet të sqarojë që në rastet kur ka investime në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve, të cilat janë luhatje të përkohshme dhe lëvizin. Ideja e investimeve afatgjate të fondeve të tilla në aksione të ndryshme apo fonde efektive është që të sigurohet një kthim mesatar në afatgjatë. Sepse dikush që është i moshës 30-vjeçare që kontribuon sot, pra nuk pret që t’i merr këtë vit apo vitin e ardhshëm mjetet. Ideja është si investim afatgjatë, në horizonte afatgjate mbi 30 vjeç, 40 vjeç që në momentin kur dilet në pension të sigurohet një pension i dinjitetshëm për shkak se ka pasur një kthim mesatar 7 apo 8 për qind vjetor. Me sa e di së fundmi, personat që janë afër moshës së pensionimit që të mos ndikohen nga këto luhatje afatshkurta ka pasur një ndarje të portfolios. Që investimet e fondeve të atyre pensionistëve të investohen në letra me vlerë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Murati.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, për çka tha se janë të interesuar për përmirësimin e infrastrukturës që të mundësohet ofrimi i shërbimeve të parapara.

“Ne si Ministri e Financave kemi shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë për të gjitha investimet e nevojshme, por edhe për momentin kur fillon mbledhja e premiumeve që po ashtu përveç kostos, ka kosto të punëmarrësi ka edhe tek punëdhënësi. Ky problem nuk ekziston, por Ligji për Sigurime Shëndetësore kërkon edhe infrastrukturën e nevojshme, kërkon edhe investime të nevojshme. Nuk është vetëm një ligj në letër siç e kemi parë në të kaluarën. Një ligj ka tashmë në fuqi por nuk është zbatuar asnjëherë. Ideja jonë është që ta përmirësojmë ligjin, të kemi një ligj të implementuar por edhe të jetë infrastruktura e nevojshme për ofrimin e shërbimeve që parasheh Ligji për Sigurime Shëndetësore”.

Edhe zyrtarët e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur shkurt si TRUST, e kanë pranuar zyrtarisht se investimet në këtë fond po përjetojnë periudhën më të rëndë këtë vit si rrjedhojë e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare.

Mirëpo, në një sqarim të lëshuar kanë treguar se këto nuk mund të cilësohen humbje. Sipas tyre këto janë vetëm disa lëvizje në investime.

“Për shkak të disa raportimeve këtyre ditëve për humbjet, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës sqaron se lëvizjet e vlerës së investimeve të FKPK-së ndryshojnë përditshëm dhe si të tilla nuk mund të cilësohen si humbje por rënie të vlerës së investimeve. Njëherësh rëniet dhe ngritjet janë pjesë e natyrshme e tregjeve financiare sipas zhvillimeve aktuale në botën makrofinanciare dhe gjeopolitike Këto rënie do të shndërrohen në humbje të realizuara vetëm nëse FKPK-ja i shet investimet dhe i tërheq mjetet, që do të rezultonte në pamundësi rikuperimi e ngritjeje në të ardhmen. Për t’i ilustruar më mirë lëvizjet periodike, duhet kujtuar se në vitin 2021 FKPK-ja kishte kthim bruto prej +227 milionë euro nga investimet. Gjithashtu aktualisht FKPK-ja ka një ngritje të çmimit të aksionit prej rreth 65% nga themelimi i institucionit, që dëshmon funksionin afatgjatë që e ka strategjia e investimeve”.

Sipas Trustit, sa i përket këtij viti (2022) performanca e periudhës janar-qershor është e pritshme, me ambientin aktual të luftës në Ukraine, krizës energjetike dhe inflacionit dyshifror.

“Përkundër se kemi rënie të vlerës sivjet, investimet e FKPK-së ranë dukshëm më pak sesa vlera e indekseve kryesore botërore. Për krahasim, deri më 31 gusht 2022, çmimi i aksionit të FKPK-së u zhvlerësua për -4.5%, kurse indeksi i MSCI Ëorld ra me -16%, ai i S&P500 me -18% dhe STOXX 600 me -15%. Këto argumente janë për të qartësuar se për kontribuuesin është e rëndësishme që të analizohet gjendja e llogarisë së kursimeve pensionale nga fillimi e deri në datën aktuale, e jo vetëm për një vit kalendarik – pasi edhe institucioni investon me synime afatgjata. Bordi Drejtues gjatë vitit 2022 ka bërë maksimumin e mundshëm, duke i lëvizur mjetet në pozitën më mbrojtëse dhe plasuar shumicën e mjeteve në instrumente me rrezik shumë të ulët. Aktualisht rreth 46% e të gjitha mjeteve (ose mbi 1 miliard euro) janë të investuara në tregun e parasë së gatshme, depozitat bankare në Kosovë dhe letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës”.

Në Fondin prej mbi 2.2 miliardë eurosh janë mbi 700 mijë kontribuues të Kosovës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni