Kreu Ekonomi Njoftim me rëndësi rreth aplikimit për shtesat e fëmijëve

Njoftim me rëndësi rreth aplikimit për shtesat e fëmijëve

nga Flamur Berisha

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se aplikimi për shtesat për fëmijë në rastet e veçanta, do të bëhet përmes platformës eKosova.

Në njoftim bëhet e ditur se raste të veçanta konsiderohen ato kur nëna jeton me lejeqëndrim në Kosovë, kur prindërit janë të divorcuar dhe kujdestarinë e fëmijës e ka babai, kur nëna nuk jeton më dhe kur fëmija është në përkujdesjen e kujdestarit ligjor.

“Në rastin kur nëna është me lejeqëndrim në Kosovë, kur kujdestarinë e fëmijës e ka babai pas divorcit apo kur nëna nuk jeton më, aplikimi për Shtesa për Fëmijë do t’i mundësohet babait. Pasi aplikuesi ta plotësojë formularin, sistemi automatikisht e verifikon nëse të dhënat janë të sakta dhe nëse aplikuesi është i martuar me një shtetase të huaj, është i ve apo është prind i vetëm”,thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se aplikimi përmes platformës eKosova është i qasshëm edhe për personat të cilët kanë fëmijë nën kujdestari ligjore.

“Gjithashtu, aplikimi përmes platformës eKosova tashmë është i qasshëm edhe për personat të cilët kanë fëmijë nën kujdestari ligjore. Në këtë rast, kujdestarit ligjor i kërkohet edhe ngarkimi i një dokumenti që dëshmon kujdestarinë ndaj fëmijës”,thuhet në njoftimin e ministrisë.

Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se aplikimi për shtesat për fëmijë këtë muaj do të jetë i hapur nga data 1 deri më 20 dhjetor.

“Aplikimi për Shtesa për Fëmijë për këtë muaj do të jetë i hapur nga data 1 deri më 20 dhjetor. Të gjitha aplikimet që janë bërë përmes e-mail adresës pas datës 20 nëntor, luten që të aplikojnë sërish përmes sistemit në eKosova para datës 20 dhjetor. Vlen të theksohet, se aplikimi i rregullt për Shtesa për Fëmijë vazhdon të bëhet nga nëna dhe se llogaria bankare do të jetë në emër të aplikueses, kurse aplikimi nga babai do të bëhet vetëm në raste specifike”, thuhet në njoftim./GazetaExpress/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni