Kreu Ekonomi Njoftim më rëndesi rreth Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Njoftim më rëndesi rreth Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

nga Flamur Berisha

Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, të mërkurën ka votuar raportin me rekomandime të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19, ndërkaq të premten pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme për miratimin në lexim të dytë të tij.

Në katër amendamentet e propozuara nga PDK, njëra nga këto është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.

“Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Fondin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 për qind nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek Trusti-i brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë”, ka thënë kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj në një konferencë për media, shkruan Telegrafi.

Por, cilët janë tetë ligjet që duhet të plotësohen apo të ndryshohen në mënyrë që nis zbatimi i masave të parapara në Projektligjin e Rimëkëmbjes?

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin 05/L-116

Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

Me qëllim të tërheqjes së mjeteve, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Mjetet nga kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve në bankat komerciale të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës.

Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhurat Personale.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 05/L-057 për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në konsultim me Qeverinë e Kosovës, përgatit dhe i vendos në treg produkte dhe shërbime të reja ose produkte dhe shërbime përcjellëse për arritjen e qëllimit të rimëkëmbjes ekonomike.

Nëse është e nevojshme për mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të FKGK-së, Qeveria e Kosovës, me kërkesë të FKGK-së, do të mbulojë plotësisht ose pjesërisht tarifat për shërbimet e FKGK ndaj institucioneve financiare.

Po ashtu, të gjitha fondet e transferuara nga Qeveria e Kosovës në FKGK për qëllime të rimëkëmbjes ekonomike, do të trajtohen si asete të përhershme të FKGK-së.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 05/L -028 për Tatimin në të Ardhurat Personale

Nenit 8-të të këtij Ligji i shtohet nën paragrafi, “paratë e tërhequra nga FKPK apo në Fondet Pensionale për rimëkëmbje ekonomike”.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

Nenit 26-të të këtij Ligji i shtohet teksti, “furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit”.

Po ashtu, nenit 28-të i shtohet teksti, “transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore bazuar në kritere që përcaktohen me vendim nga Ministri i Bujqësisë. Me qëllim të zbatimit të këtij liri, Ministri i Financave me vendim përcakton procedurat dhe kriteret”.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i Plotësuar dhe Ndryshuar me Ligjin 03/L- 221, Ligjin 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007

Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, mjetet e privatizimit mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave.

Megjithatë, ky përjashtim nuk zbatohet për vitin 2020 dhe 2021.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave

Ministri i Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vite nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen me vendim nga Ministri i Financave.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L- 102, me Ligjin 04/L-115 dhe me Ligjin 04/L-223

Neni i 28-të i Ligjit i shtohet teksti, “përjashtimisht nga dispozitat tjera të këtij neni, lirohen nga interesi tatimpaguesit që kane obligime tatimore të pa paguara nëse deri më 31.12.2020 i paguajnë të gjitha obligimet tatimore bazë, në bazë të marrëveshjes me ATK-në për pagesën e obligimeve”.

Kurse nenit 51 i shtohet paragraf i ri me tekstin, “përjashtimisht nga paragrafët 1 deri në 3 të këtij neni, për mos pagesën e deklaratës tatimore të ndikuar për shkak të pandemisë për vitin 2020 dhe 2021 sipas dispozitave të këtij neni, ministri i Financave bazuar në reflektimin e COVID-19 në ekonomi, mund të nxjerr vendim për heqje te ndëshkimeve dhe interesave për pagesë te vonuar, duke përcaktuar procedurat e lirimit nga pagesa e ndëshkimeve dhe interesave”.

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-115, me Ligjin 05/L080 dhe me Ligjin 06/L-023

Nenit 2 të këtij Ligji, pas tekstit “dhe përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit” i shtohet teksti, “si dhe për financimin e rimëkëmbjes ekonomik”.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni