Kreu Biznes Njoftim nga Qeveria e Kosoves per keto ndermarrje!

Njoftim nga Qeveria e Kosoves per keto ndermarrje!

nga Flamur Berisha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke vepruar në çkapjen e agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike.

Kurti duke folur në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur se anëtarët e bordeve po zgjidhen në aspektin profesional dhe se sipas tij këta nuk janë anëtarë politikë të kësaj partie.

“Qeveria jonë është duke vepruar energjikisht në çkapjen e agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike. Në dhjetëra borde e qindra anëtarë të cilët po ndërrohen, asnjëri prej tyre nuk është politik apo anëtar i Lëvizjes, por janë të zgjedhur vetëm në aspektin profesional, për të kryer detyrën me përgjegjësi dhe paanshmëri. Për personat politikë, ka hapësirë vetëm në pozitat politike, pra në ato të bashkëpunëtorëve të emëruar. Sa i përket pozitave që janë me konkurs, ne u kemi bërë thirrje të gjithë personave të interesuar, që kanë studiuar jashtë apo brenda vendit, që të aplikojnë. Intervistat e tyre do të jenë transparente, profesionale dhe korrekte në mënyrë që të mos favorizohet apo diskriminohet askush por që të vendoset meritokracia e plotë”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Ai në këtë takim ka treguar se do të hetohen nga organet përkatëse të gjitha ato projekte infrastrukturore për lidhjen e kontratave me çmim më të lartë se ato të tregut.

“Përmes inspektimit të hollësishëm të projekteve të infrastrukturës, ne po ia kursejmë shtetit dhjetëra miliona euro të cilat po shpenzoheshin pa arsye. Projektet infrastrukturore do të bëhen, me cilësi të lartë, por me një kosto shumë më të ulët. Në të njëjtën kohë, do të hetohen prej organeve përkatëse se përse më përpara janë lidhur kontrata me një çmim më të madh nga ai i tregut”, tha ai.

Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë disa hapa për të nxitur investimet nga mërgata.

“Qeveria jonë i ka ndërmarrë disa hapa për të nxitur afrimin e investimeve nga mërgata, duke planifikuar emetimin e bonove të investimit për mërgatën. Përmes bonove të investimit, kapitali i mërgimtarëve shqiptarë do të mund të investohet në sektorë strategjikë, me garanci shtetërore e me përfitim për vetë investuesit por edhe për shtetin tonë. Për të treguar dashamirësi e falënderim ndaj njerëzve tanë që mbajnë mbi shpinë peshë të madhe në ekonominë e Kosovës, ne kemi marrë vendim që të mbulojmë policën kufitare për veturat e mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë. Kjo ka qenë e domosdoshme, sepse mërgimtarët marrin përsipër të udhëtojnë në një moment të papërshtatshëm, si ky i pandemisë, kur janë rritur shumë kostot e udhëtimit, prandaj ne kemi vendosur t´ua heqim një barrë. Ata që vijnë me vetura bëjnë rrugë të gjatë dhe është dashur që të kursejnë që të mos vijnë me aeroplanë”, ka shtuar Kurti.

Në fund, ai ka theksuar se miratimi i Projektligjit për Gjykatën Komerciale në Qeveri, do t’iu mundësoj bizneseve zgjidhjen e konteksteve së tyre gjyqësore.“Që ekonomia të rritet e që të vijnë investimet e rëndësishme për të cilat jemi duke punuar, ne duhet që të lehtësojmë problemet e biznesit. Në këtë aspekt një hap i rëndësishëm ka qenë Projektligji për Gjykatën Komerciale, që e kemi kaluar para pak ditësh. Kjo do t’u mundësojë bizneseve qasje të shpejtë në gjyqësi të pavarur, sepse mbingarkesa e gjykatave civile ka shkaktuar vonesa të mëdha, me të cilat nuk dëshiron të përballet asnjë investitor”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni