Kreu Ekonomi Njoftim nga Thesari i Shtetit ne lidhje me pagesat bizneseve

Njoftim nga Thesari i Shtetit ne lidhje me pagesat bizneseve

nga Flamur Berisha

Gjatë kohës së pandemisë shumë biznese kanë pësuar humbje të mëdha. Madje ato është dashur të mbyllen për disa javë me radhë gjatë vitit të kaluar për të mos rrezikuar në shpërndarjen e virusit Covid-19.

Farkëtari Habib Cena thotë se kanë pësuar shumë, pasi fokusimet e qytetarëve gjatë kësaj kohe kanë qenë më shumë në sigurimin e gjërave ushqimore.

Ai tregon se ka bërë aplikimin për ndihmesën që ka premtuar Komuna e Prishtinës për bizneset. Edhe pse biznesi i tij është në listën e përfituesve, Cena thotë se ende nuk i ka marrë të hollat nga Komuna.

“Na ka premtuar Shpend Ahmeti për të na ndihmuar. Kemi bërë gati të gjithë dokumentacionin që ka kërkuar dhe i kemi dorëzuar, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje kur bëhet ekzekutimi. Mbyllja ka qenë komplet. Puna e pjesës së hekurit është problem, çdo gjë te metali kemi pasur humbje shumë… tash është problem me ardh myshteriu, kryesore po janë gjërat ushqimore, prandaj ne po e ndiejmë këtë pjesën e pandemisë”, ka thënë Cena.

Agron Uka thotë se ka aplikuar dy herë për këto ndihma, mirëpo ende nga Komuna nuk ka asgjë.

“Kemi aplikuar për subvencione 2 a 3 herë, mirëpo nuk kemi pasur asnjë përgjigje. Është problemi se i gjithë populli është fokusuar më shumë të mielli, vaji për sakicë e hekur s’ka qenë urgjente. Plus na kanë mbyllë dyqanet se hekuri e bartë infeksionin. Kurrfarë ndihme s’kemi as kurrfarë vizita”, ka thënë ky farkëtar.

Komuna e Prishtinës kishte premtuar ndihmesa për biznese me nga 600 euro dhe 1300 euro.

Aplikimi për mjete është bërë në nëntor dhe qe atëherë qytetarët janë në pritje.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dy muaj më parë shkroi në llogarinë e tij në “Facebook” se ekzekutimi i këtyre mjeteve duhet të bëhet nga Thesari.

“Pagesat (nga llogaria e Shtetit te llogaritë personale) ekzekutohen nga Thesari i Republikës së Kosovës, pas dorëzimit të kërkesës për secilën pagesë nga Komuna. Sipas legjislacionit në fuqi, niveli qendror e ka mbyllë Thesarin në fund të dhjetorit për të përmbyllë vitin financiar dhe ende nuk është rihapë. Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për Komunat sipas Ligjit në Fuqi, pagesat do të vazhdojnë për të gjithë përfituesit”, kishte shkruar Ahmeti.

Mirëpo, Thesari ka hequr fajin nga vetja, duke thënë se ata janë duke vazhduar punën dhe çdo ditë procedohen lëndët e aprovuara përmes Sistemit për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa sa u përket pakove për bizneset, në përgjigjen e Thesarit për KOHËN thuhet se Komuna ka buxhetin e ndarë me ligj, dhe i gjithë cikli i shpenzimeve zhvillohet në mënyrë të pavarur nga zyrtarët financiarë të Komunës.

“Komuna ka buxhetin e ndarë me ligj, dhe i është dhënë alokimi për të proceduar me shpenzimet nga subvencionet (pakot për bizneset), ndërsa i gjithë cikli i shpenzimit që nga zotimi deri në shpenzim/certifikim zhvillohet në mënyrë të pavarur nga zyrtarët financiarë të Komunës, të certifikuar nga Thesari. Thesari çdo ditë procedon lëndët e aprovuara përmes Sistemit për Menaxhimin e Financave Publike (SIMFK), vetëm kur shpenzimet ndodhin pasdite lëndët procedohen më së largu në ditën vijuese”, thuhet në përgjigjen që KOHA ka marrë nga Ministria e Financave.

Komuna e Prishtinës nuk ka ekzekutuar as ndihmat që premtoi për media. Në pritje janë edhe shumë qytetarë të cilët u prekën nga Covid-19 e të cilëve Ahmeti ua premtoi nga 50 euro.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni