Kreu Ekonomi Njoftim per biznese nga Komuna e Podujeves

Njoftim per biznese nga Komuna e Podujeves

nga Flamur Berisha

Komunarët e Podujevës nuk kanë arritur ta vënë në diskutim publik plotësim-ndryshimin e Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, që kishte për synim lirimin nga taksa komunale shumicën e bizneseve në këtë komunë.

Votat kundër të LDK-së dhe abstenimi i PDK-së ia pamundësuan pushtetit të ri këtë plotësim-ndryshim. Refuzimi për të votuar pro i këshilltarëve të LDK-së ka qenë rritja e kësaj tarife për bizneset që nuk lirohen nga kjo taksë. Ndërsa, drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, ka thënë se votat po i kërkon vetëm për vënie në diskutim publik dhe se gjatë debatit do të jenë të hapur për çdo propozim.

“Vitin e kaluar ky Kuvend ka votuar në mënyrë unanime për lirimin nga taksa vjetore (gjatë vitit 2020) të gjitha bizneset e Komunës së Podujevës. Me sa e mbaj mend, ka pasur një dakordim nga të gjitha partitë që kjo taksë të hiqet si lehtësim për bizneset edhe për shkak të pandemisë. Prandaj, sot ia paraqes këtij Kuvendi për dëgjim publik plotësim-ndryshimin e rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale”, ka theksuar Pajtim Balaj.

Ai e ka lexuar edhe ndryshimin që është bërë në këtë propozim për plotësim-ndryshim të kësaj rregulloreje. Ka thënë se neni 6 i rregullores së tanishme fshihet dhe riformulohet me tekstin si në vijim: “Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste. Përjashtim nga paragrafi 1 të këtij neni bëjnë subjektet afariste që ushtrojnë veprimtari si vijon: Institucionet financiare të pagesave dhe transfereve paguajnë taksë vjetore prej 100 euro, institucionet mikro-financiare kreditore 1000 euro, bankat 2000 euro, kompanitë e sigurimeve 300 euro, kompanitë e telekomunikimit-telefonisë mobile 1000 euro, kompanitë e shpërndarjes së internetit dhe rrjetit kabllor 800 euro, terminalet doganore 2000 euro”.

Nga taksa komunale me propozimin e ri nuk lirohen as qendrat tregtare. Siç shkruhen në të njëjtin nen, qendrat tregtare me sipërfaqe prej 500-1000m2 paguajnë taksë vjetore 500 euro, ato me sipërfaqe prej 1000-2000m2 paguajnë 1000 euro, me sipërfaqe mbi 2000m2 paguajnë 2000 euro.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni