Në një përgjigje për KOHËN nga Ministria e Financave është thënë se implementimi i programit të rimëkëmbjes po shkon sipas planit dhe se mjetet e ndara për bizneset i kanë fituar shumica e tyre.
Nga 222 milionë euro të parapara me programin e rimëkëmbjes ekonomike, deri më tash janë ndarë rreth 60 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Këto mjete janë destinuar për kategori të ndryshme, por për disa prej tyre ende ka ankesa se mjetet e ndara nuk kanë arritur në llogaritë e bizneseve, e disa nuk i shohin as si ndihma, por si “social”
Prishtinë, 14 mars – Rreth 60 milionë euro, nga 222 milionët e paraparë me programin e rimëkëmbjes ekonomike, janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve.
Nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se Qeveria ka ndarë mjete nga programi i rimëkëmbjes për afro 15 kategori deri më tash, mes tyre subvencione, shtesa e mbështetje financiare.
Nga programi për vitin 2021, mes të tjerash 13.5 milionë euro janë ndarë për pagesën e shtesës prej 30 eurosh për skemat pensionale, 12 milionë euro për subvencionet në bujqësi, 8 milionë euro shtesa mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor, 7.5 milionë euro për dyfishimin e pagesës së shumës së ndihmës sociale, 6.5 milionë euro për bizneset aktive dhe të vetëpunësuarit, ku sipas kritereve të përcaktuara, 3 milionë janë paraparë për gastronominë, hotelet, sallat e dasmave dhe ato sportive e të ngjashme.