Kreu Financa Njoftim tepër me rendesi per keto kategori te bizneseve nga ATK

Njoftim tepër me rendesi per keto kategori te bizneseve nga ATK

nga Kontabilisti

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se të gjitha bizneset e huaja që ofrojnë shërbime digjitale apo shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike e kanë për obligim që të regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Kosovë.

Sipas legjislacionit në fuqi, për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike ndaj personave jo të tatueshëm, përkatësisht personave që nuk janë të regjistruar për TVSH në Kosovë, të cilët kanë adresën e tyre të përhershme ose zakonisht banojnë në Kosovë, vendi i furnizimit të këtyre shërbimeve konsiderohet të jetë Kosova dhe duhet të ngarkohet TVSH në Kosovë në normën standarde prej 18 për qind.

“Ligji për TVSH-në parasheh një listë të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, që përfshinë shërbimet: Furnizimi i websiteve, web-hosting, mirëmbajtja në largësi e programeve dhe pajisjeve; Furnizimi i software-it dhe freskimi i tij; Furnizimi i figurës, tekstit dhe informatave, dhe vënia në dispozicion e bazës së shënimeve; Furnizimi i muzikës, filmave dhe lojërave, duke përfshirë lojërat shpërblyese dhe lojërat e bixhozit, ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe emisioneve zbavitëse; dhe Furnizimi i mësimit nga largësia”, njofton ATK-ja.

Po ashtu, ATK njofton ofruesit e huaj të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhershme në Kosovë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni