Kreu Biznes Inspektorati i Ministrisë i gjobitë furrat për shkak të mashtrimit të peshës së bukës

Inspektorati i Ministrisë i gjobitë furrat për shkak të mashtrimit të peshës së bukës

nga Flamur Berisha

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bashkë me Agjencinë e Metrologjisë, këtyre ditëve kanë kryer inspektime të mjeteve matëse, pra peshoreve si dhe kanë bërë kontrollimin e dokumentacionit të këtyre operatorëve në qytetin e Gjilanit, raporton Gazeta Sinjali.

Ministria ka njoftuar  se gjatë inspektimit, në tri peshore janë hasur parregullsi që nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren për peshore Jo-automatike. Këto peshore janë larguar nga përdorimi dhe është kërkuar nga subjektet ekonomike që ato të zëvendësohen me peshore në përputhje me rregulloren për peshore jo automatike.

Ndërkaq janë kryer matje të bukës nëpër furra për ta verifikuar peshën e tyre në bazë të deklaracionit që e kanë prezantuar. Sipas MINT-it, një furrë është gjobitur, bazuar në normativat ligjore, për shkak të mos përputhjes së peshës së bukës me deklaracionin, që e ka prezantuar për blerësit.

Kurse gjatë inspektimit, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar dy gjoba për flamujt e origjinës, që nuk kanë qenë të vendosur në produkte.

“Inspektime të tilla janë duke ndodhur në vazhdën e punës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe për të krijuar siguri në treg. Mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që qytetarët të sigurohen të marrin aq sa paguajnë“, thuhet në njoftimin e Ministrisë /Gazeta Sinjali/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni