Kreu Ekonomi Personat që kanë humbur vendin e punës në pritje të kriterëve. Kriteret pritet të dalin nesër!

Personat që kanë humbur vendin e punës në pritje të kriterëve. Kriteret pritet të dalin nesër!

nga Flamur Berisha

Afro 100 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur vendin e punës në periudhën shkurt-dhjetor të vitit 2020, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia.

Por në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike është përcaktuar ndarja e 300 eurove për tre muaj, që i bie 900 euro për punëtorin që humbi vendin e punës në sektorin privat.

Këto pagesa nuk janë bërë ende, pavarësisht miratimit të buxhetit për vitin 2021. Edhe pse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka kohë që është votuar, këto mjete nuk kanë kaluar në llogaritë e afro 40 mijë punëtorëve që mund të jenë përfitues të këtyre mjeteve.

Të njëjtit janë në pritje që nga muaji dhjetor, por një gjë e tillë duket se do të realizohet së shpejti.

Së paku kjo u theksua nga Ministria e Punës, të cilët janë duke përfunduar procedurat e aplikimit për të gjithë përfituesit.

Edhe pse për implementimin e kësaj mase u tha se është i nevojshëm miratimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2021, në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Financave është theksuar se me vendimin Nr 06/58 të datës 14.01.2021, Qeveria e Kosovës ka aprovuar masat për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, në vlerë prej dy milionë e katërqind mijë euro (2,400,000.00 €). Me këtë rast u theksua se përgjegjëse për implementim është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Në këtë vendim janë ndarë mjete edhe për mbështetje për personat që kanë humbur vendet e punës, si pasojë e pandemisë (COVID-19) në shumë prej 10,000,000 € (dhjetë milionë euro). Sa i përket implementimit të kësaj mase, përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, u tha tutje në përgjigjen e MF-së.

Ndërkohë lajmi.net ka një muaj që ka kërkuar një përgjigje konkrete nga Ministria e Punëve dhe Mirëqenies Sociale, të cilët kanë hezituar të sqarojnë rastin.

Por së fundi nga Zyra për Informim e ministrisë përkatëse kanë deklaruar se ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka formuar Grupin Ndërministror për përcaktimin e kritereve dhe përgatitjen e planit operacional për zbatimin e Masës 16.

“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditë obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas vendimit të Qeverisë, të datës 18 shkurt 2021”, u tha tutje në përgjigje.

Ndërkohë u shtua se këto kritere do të përfshihen në draftvendimin që do të dërgohet në Qeveri për aprovim.

“Për implemntimin e kësaj mase, Qeveria ka angazhuar edhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, për krijimin e një platforme elektronike, përmes së cilës do të bëhet aplikimi për të gjithë ata që kualifikohen si përfitues të kësaj mase”, u tha tutje.

Ndërsa kohë më parë nga Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat kanë deklaruar se janë mijëra punëtorë të sektorit privat që humbën vendin e punës përgjatë përballjes me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19.

“Përfitues të mjeteve 3×300 euro, mund të jenë 35-40 mijë punëtorë sipas statistikave tona. Përndryshe kemi pasur rreth 100 mijë punëtorë që kanë qenë në sistem gjatë këtij viti dhe mbi 60 mijë punëtorë nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë sepse pronarët e kompanive nuk kanë paguar kontribute të tyre dhe nuk kanë kontrata pune. Këta e humbin këtë të drejtë”, ka njoftuar Azemi.

Kësisoj derisa të kryhen të gjitha procedurat e ministrive përkatëse, punëtorët e sektorit privat të cilët humbën vendin e punës mbesin në pritje të parave të cilat do të duhej t’i merrnin tashmë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni