Punëtorët të cilët kanë humbur punën gjatë pandemisë mund të mos marrin nga 300 euro për tre muaj, ashtu siç parashihet në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, nëse nuk miratohet Projektbuxheti për vitin 2021. “Po ashtu, nuk do mund të ekzekutohet as granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare për bizneset të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së coronavirusit”, thotë zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, që është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, të gjithë punëtorët e sektorit privat, të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, duhet të paguhen nga ana e qeverisë me nga 300 euro, së paku për tre muaj.
Miratimi i buxhetit për vitin 2021 po kërkohet të bëhet para se të shpërndahet kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Azemi: Punëtorët e larguar me padurim presin mjetet e premtuara
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, thotë se punëtorët e larguar nga puna me padurim po presin marrjen e mjeteve të premtuara nga qeveria në detyrë, pasi kjo do ishte një ndihmë për ta.
Ai tha se që nga 13 marsi, kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë dhe pas hyrjes në fuqi të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, rreth 60 mijë punëtorë që kanë humbur vendet e tyre të punës.
“Punëtorët kanë pritje të mëdha që mjetet do ndahen shpejtë sepse ata nuk e dinë se Ligji për rimëkëmbje ekonomike nuk mund të zbatohet pa miratimin e buxhetit 2021”, tha Azemi.
Edhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se Projektbuxheti për vitin 2021 duhet të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, pasi granti i qeverisë prej 200 milionë eurosh do të lehtësonte punën e bizneseve.