Kreu Financa Pyetje: A mund ta postoni pakon e plote te ringjalljes ekonomike

Pyetje: A mund ta postoni pakon e plote te ringjalljes ekonomike

nga Flamur Berisha

Më poshtë gjeni të plotë pakon e ringjalljes ekonomike:

1. Punësimi dhe formalizimi i ekonomisë, me fokus parësor në fuqizimin e rolit të gruas dhe të të rinjve në ekonomi;

2. Përmirësim i strukturës së përbërjes së PBB-së përmes favorizimit të sektorëve të caktuar ekonomikë, sidomos në sferën e prodhimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar të vendit;

3. Rritje e balancuar dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, duke u përkujdesur që e njëjta të shoqërohet edhe me përmirësim të indikatorëve kyç të mirëqenies;

4. Ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe minimizimi i rreziqeve fiskale të vendit, përmes mbajtjes nën kontroll të rritjes së borxhit publik në vend, dhe koordinimit më të mirë me komunitetin e donatorëve për të siguruar maksimumin e përfitimit të ekonomisë dhe amvisërive.

Shuma e përgjithshme e Pakos së Ringjalljes Ekonomike është 420 milionë euro, ku financimi nga buxheti është 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro tjera janë financim nga huamarrja.

Në kuadër të masave dhe veprimeve për ringjalljen ekonomike të vendit është edhe emetimi i Bonove të Diasporës, të cilat mjete do të përdoren për financimin e këtyre masave.

Masa 1. – Mbështetja e Punësimit – 50 milionë EUR Prioriteti i parë i Qeverisë sonë është punësimi dhe kësaj i qëndrojmë prapa edhe me politika e vendime.

Në funksion të këtij prioriteti, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike do të ndajmë 50 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës, duke mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë punëkërkuesit.

Masa 1.1. – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – 10 mil EUR Do të mbështesim rikthimin në punë për të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021, dhe që aktualisht janë të papunë. Për çdo të ri-punësuar, do të subvencionojmë pagën për 3 muaj në vlerë prej 170 euro në muaj.

Masa 1.2. – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – 10 mil EUR

Pandemia ka treguar se sa e rëndësishme është që puna të jetë e deklaruar dhe kontributet pensionale të paguhen me rregull. Andaj, ne do të mbështesim secilin të punësuar të ri, që nuk ka qenë i punësuar në 3 muajt e fundit, e që deklarohet në ATK. Secilit prej tyre, do t’iu paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës deri në 12 muaj me radhë.

Masa 1.3. – Mbështetja e punësimit të grave – 5 mil EUR

Gratë janë të nën-pëfaqësuara në tregun e punës. Përderisa ato përbëjnë gjysmën e popullsisë dhe janë të lëna jashtë tregut të punës, nuk mund të pretendojmë rritje gjithpërfshirëse pa inkuadrimin e grave në tregun e punës. Andaj për secilën grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do të subvencionojmë 50% të pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj.

Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional sipas Masës 1.2.

Masa 1.4. – Skema e punësimit të garantuar për të rinjtë – 10 mil EUR

Rinia në vendin tonë ka qenë në disavantazh për sa i përket punësimit edhe para pandemisë dhe në pandemi kjo vetëm sa është thelluar. Për të adresuar këtë problem, ne do të dizajnojmë dhe lansojmë gjatë këtij viti skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale.

Masa 1.5. Trajnimi dhe punësimi në TI – 5 mil EUR

Për të orientuar talentet e reja drejt fushës së TI-së, do të ofrojmë kuponë me anë të të cilëve mund të ndiqen kurse për TI, apo trajnime në praktikë. Atyre që përfundojnë kursin apo trajnimin me sukses, do t’u ofrohet mbështetje në punësim për 3 muajt e parë.

Masa 1.6. – Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta – 5 mil EUR

Në funksion të arritjes së synimit për një shtet të barabartë për të gjithë, do të mbështesim secilin të punësuar me aftësi të veçanta me 50% të pagës, deri në maksimum 150 euro në muaj. Mbështetja do të bëhet për 6 muajt e parë.

Masa 1.7. – Skema e granteve për zanatet – 5 mil EUR

Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, do të mbështesim me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të çertifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajsijeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe çertifikimit.

Masa 2. – Ringjallja e Ekonomisë dhe Prodhimit – 108 milionë EUR Në kuadër të nismës globale për të rindërtuar ekonomitë më mirë se ç’ishin, do të investojmë 108 milionë euro që do të dedikohen për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, por pa harruar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.

Masa 2.1. – Subvencionimi i kredive investive – 30 mil EUR

2.1.1. Me qëllim të mundësimit të investimeve të reja, të gjitha bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten nëse marrin kredi për të financuar zgjerimin e kapaciteteve, duke ua subvencionuar deri në 20% të kryegjësë së kredisë, më saktësisht 10% të kryegjësë në fillim, për të mundësuar një grejs periudhë fillestare, si dhe 10% tjera në fund të kredisë në rast se janë përmbushur objektivat e investimit.

2.1.2. Bizneset që janë në pronësi të grave po ashtu do të mbështeten nëse marrin kredi për rritje të kapaciteteve, me deri në 20%, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.

2.1.3. Bizneset që kanë pësuar rënie në të hyra, mirëpo megjithatë kanë ruajtur numrin e punëtorëve, dhe tani u duhet likuiditet për t’u përgatitur për investime të reja, do t’u mundësohet subvencionimi i 10% të kryegjësë së kredisë.

Masa 2.2. – Mbështetje bizneseve për qasje në financa – 43 mil EUR

2.2.1. Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financim, do të mbështesim Fondin Kosovar për Garanci Kreditore duke shtuar kapitalin për edhe 40 milionë euro tjera, që do të mundësojnë garantimin e rreth 120 milionë eurove kredi shtesë për bizneset.

2.2.2. Po ashtu, me 3 milionë euro tjera do të subvencionojmë tarifat e Fondit, gjë që do të çlirojë potencial për edhe 86 milionë euro tjera kredi të garantuara.

Masa 2.3. – Investime në TI dhe Inovacion – 10 mil EUR

7 milionë euro dedikohen për investim në digjitalizim dhe inovacion, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme drejt tranzicionit në epokën digjitale. Gjithashtu, 3 milionë euro do të investohen në parkun e inovacionit dhe trajnimeve në Prizren (ITP Prizren) për të krijuar një nyje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të TI-së. Këto investime do të mobilizojnë edhe rreth 4 milionë euro tjera grante nga donatorët.

Masa 2.4. – Mbështetja e Eksportit – 10 mil EUR

Me këtë masë do të mbështeten bizneset prodhuese dhe eksportuese në rritje të cilësisë dhe marrjen e çertifikimeve të nevojshme. Si pjesë e mbështetjes do të jetë edhe asistenca në dizajnim dhe marketing të produkteve. Po ashtu, do të mbështetet edhe pjesëmarrja në panaire jashtë vendit.

Masa 2.5. – Ringjallja e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit – 10 mil EUR

Mbështetja e produkteve bujqësore duhet të bëhet edhe përtej prodhimit. Me anë të kësaj mase do të investohet në krijimin e infrastrukturës dhe parakushteve për zhvillimin e agroturizmit nëpër fshatrat tona.

Kjo përfshin edhe mbështetjen për investime që do të mundësojnë shndërrimin e shtëpive të fshatit në bujtina që mund të presin mysafirë.

Masa 2.6. – Rikuperimi i hotelerisë dhe bizneseve të mbyllura – 5 mil EUR

Me këtë masë do të mbështeten bizneset të cilat kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë dhe për shkak të mbylljes nuk kanë arritur të kryejnë detyrimet që kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave.

Masa 3. – Mbështetja për familjen – 50 milionë EUR

Me qëllim krijimin e një shoqërie të barabartë dhe për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, do të ndajmë 50 milionë euro për shtresat e cenueshme të shoqërisë. Mbështetje kjo që synon sadopak lehtësimin e barrës

që kanë pasur këto shtresa si pasojë e pandemisë.

Masa 3.1. – Mbështetja për familjet që kanë humbur kryefamiljarin – 4 mil EUR

Me anë të kësaj mase do të mbështeten me një shumë monetare të gjitha familjet që kanë humbur kryefamiljarin e tyre nga COVID-19, duke e ditur që për shumë familje humbja e më të dashurve mund të ketë nënkuptuar edhe humbjen e burimit të vetëm të të ardhurave.

Masa 3.2. – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale – 17 mil EUR

Do të paguhen shtesat për pensionistë ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, si dhe do të mbështeten familjet që pranojnë asistencë sociale me 30% mbi nivelin e rregullt. Shtesat do të aplikohen deri në fund të vitit fiskal.

Masa 3.3. – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale – 12 mil EUR

Pandemia ka treguar që sistemi aktual nuk është i dizajnuar si duhet dhe lë jashtë skemës shumë familje në nevojë. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të fillojmë një reformë të skemës për asistencës sociale, me qëllim zgjerimin e saj për të përfshirë më shumë familje në nevojë. Shuma e përgjithshme e projektit pritet të jetë rreth 47 milionë euro.

Masa 3.4. – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë – 4 mil EUR

Për 6 muaj me radhë, në bashkëpunim me UNDP-në dhe me financim të BE-së, 7,500 familjeve më në nevojë do t’u shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro, varësisht nga madhësia e familjes.

Mbështetja do të zgjerohet edhe për rreth 3,000 familje tjera nga komunitetet jo-shumicë, me mbështetje të IOM-it.

Masa 3.5. – Pagesa për lehonat e papuna – 3 mil EUR

Këtë vit do të fillojmë skemën e mbështetjes së lehonave të papuna. Në kuadër të kësaj skeme, të gjitha lehonat që nuk punojnë, do të përfitojnë mbështetje në nivelin e pagës minimale për 6 muaj me radhë.

Masa 3.6. – Mbështetja e likuiditetit familjar – 10 mil EUR

Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro. Kjo do t’iu mundësoj shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta, dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve sezonale.

Masa 4. – Mbështetja për publiken – 112 milionë EUR

Rritja e cilësisë së shërbimeve publike, rrjedhimisht përmirësimi i mëtejmë i mirëqenies qytetare, është njëra ndër prioritetet kryesore të Qeverisë sonë. Andaj, do të ndajmë 112 milionë euro për shërbime cilësore në shëndetësi, arsim, kulturë e sport.

Masa 4.1. – Mbështetja për shëndetësinë – 53 mil EUR

Për luftën ndaj pandemisë COVID-19 janë të dedikuara 40 milionë euro, që përfshin blerjen e vaksinave dhe shpenzime tjera të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë. Pandemia ka shkaktuar ngarkesë të madhe në sistemin shëndetësor, andaj 8 milionë euro tjera janë dedikuar për blerjen e barnave esenciale. Për mbulimin kostos për specializantët e rinj dedikohen edhe 5 milionë euro shtesë mbi buxhetin fillestar.

Masa 4.2. – Mbështetja për Arsimin – 9 mil EUR

Kjo masë do të mundësojë mbulimin e hendekut të krijuar në të hyrat vetanake të universiteteve publike gjatë kohës së pandemisë, do të mundësojë blerjen e teksteve mësimore për nxënësit , si dhe do të mundësojë 1 milionë euro ndarje për bursa për studentët që studiojnë fushat e shkencave, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Masa 4.3. – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit – 5 mil EUR

Me këtë masë do të përkujdesemi që vendit t’i japim gjallëri duke organizuar dhe mbështetur ngjarje e projekte kulturore të cilat vënë në pah artistët e rinj dhe krijojnë mundësi të promovimit të tyre. Njësoj mbështetje do të ketë edhe për sportin, duke mundësuar organizimin e turneve dhe ngjarjeve tjera sportive.

Masa 4.4. – Mbështetja e sigurisë – 10 mil EUR

Me qëllim të avancimin të FSK-së drejt një ushtrie moderne që mundëson përmbushjen e misionit të saj, do të mbështetet pagesa për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake.

Masa 4.5. – Mbështetja e mërgatës – 5 mil EUR

Është zotim i yni që të lehtësojmë të gjitha barrierat për mërgatën tonë, që i kanë dhënë e vazhdojnë t’i japin kaq shumë vendit. Andaj do të mbulojmë koston e reduktuar të policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhim përfundimisht çështjen e Kartonit të Gjelbër.

Masa 4.6. – Mbështetja e ndërmarrjeve publike – 30 mil EUR

Duke qenë të vetëdijshëm për gjendjen e rënduar financiare të shumicës së ndërmarrjeve publike, do të hartojmë një plan për ringjalljen e tyre. Me këtë masë, do të mundësojmë kreditimin e ndërmarrjeve publike ashtu që të mundësohet edhe jetësimi i planit të ringjalljes.

Masa 5. – Investimi në infrastrukturë dhe ambient – 100 milionë EUR

Nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.

Në kuadër të ambientit jemi duke negociuar me institucione financiare ndërkombëtare edhe për investime tjera në fushën e efiçiencës dhe energjisë elektrike, dhe jemi në hulumtim edhe për mundësi tjera financimi nga grantet dhe donatorët. Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni