Kreu Ekonomi Qeveria e Kosoves: Brenda dy jave me projektligj rreth tërheqjes së kursimeve nga Trusti

Qeveria e Kosoves: Brenda dy jave me projektligj rreth tërheqjes së kursimeve nga Trusti

nga Flamur Berisha

Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një projektligj, i cili përveç zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, do të mundësojë që kontributpaguesit të mund të tërheqin një shumë të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi. Zëvendësministri i Financave, Krasniqi thotë se ky projektligj brenda javës së ardhshme do të jetë i gatshëm dhe mund të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim. “Në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes, duke përfshirë këtu edhe mjetet e Trustit Pensional, është duke u përgatitur një ligj i cili do të jetë një ligj horizontal, në mënyrë që të mos preken të gjitha ligjet, por të bëhet një ligj i cili do të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2021, për të tejkaluar këtë situatë të pandemisë dhe në momentin që kjo kalon ligjet kthehen në normalitet. Ky projektligj është duke u punuar dhe brenda javës së ardhshme besoj se do të përfundojë, por gjithçka varet nga Kuvendi kur do t’i miratojë”, thotë Krasniqi.

Kryeministrit i Kosovës, Avdullah Hoti, më 3 qershor, në ditën kur është bërë kryeministër, në deklarimin e tij para Kuvendit të Kosovës pati thënë se në programin qeverisës në një nga masat e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, (pako për zbutjen e pasojave që ka pasur pandemia COVID-19), ka paraparë ta fusë në ekonomi një përqindje të Fondit. Krasniqi thotë se ajo që është më e përafërt në jetësimin e kësaj nisme, e cila ka për qëllim të ndihmojë qytetarëve që ta përballojnë sa më lehtë gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë së Coronavirusit, është tërheqja e 10 për qind të shumës së përgjithshme të mjeteve që kontributpaguesit kanë në llogarit e tyre në Fond.

“Kemi biseduar modalitete të ndryshme, por ajo që ka mbet deri më tani është që të ju mundësohet të gjithëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve varësisht prej kontributit që kanë”, thotë Krasniqi.Vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas Krasniqit, është rreth 180 milionë euro, mjete këto të cilat do të stimulonin kërkesën agregate në treg. Stimulimi i kërkesës agregate nënkupton rritjen e shpenzimeve që eventualisht do ta bënin qytetarët, pas marrjes së parave nga kontributet pensionale.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni