Kreu Ekonomi Qeveria Hoti ndan miliona euro për kategori të ndryshme

Qeveria Hoti ndan miliona euro për kategori të ndryshme

nga Flamur Berisha

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur për ndarjen e miliona eurove për kategori të ndryshme që nuk kanë qenë të përfshira në pakot e mëhershme por që sipas ekzekutivit i janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të pandemisë. 3 milionë euro janë ndarë për punëtorët e arsimit, 700 mijë për zyrtarët policor, 180 mijë për zjarrfikësit, 100 mijë euro për sektorin shëndetësor dhe 78 mijë për punëtorët social. Qeveria ka bërë të ditur se janë ndarë edhe 160 mijë euro për punëtorët teknik të sektorit privat.

Ministria në detyrë e financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se i gjithë personeli i angazhuar në arsimin primar dhe sekondar do të marrë shtesën në muajin shkurt.

“Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi të cilin e kemi ndarë nga Fondi për rimëkëmbje Ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, këto janë mjete të cilat ndahen për shtesën e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt, kjo përfshinë të gjithë personelin i cili është i angazhuar me arsimin primar dhe sekondar, në këtë pikë ndahen 3 milionë euro. Në pikën e dytë për sektorin e sigurisë përkatësisht zyrtarët policor ndahen mjete financiare shtesë në shumë prej 700 mijë euro, është fjala për 350 zyrtarë të cilët nuk kanë qenë të trajtuar me vendimin paraprak”, ka thënë ajo.

Bajrami ka bërë të ditur se zjarrfikësit do të marrin 100 euro shtesë në pagën në muajin shkurt dhe mars.

Ndërsa për punëtorët aktiv social në qendrat për punë sociale, ajo tha se do të paguhen shtesat për muajin shkurt dhe mars të këtij viti.

“Për sektorin shëndetësor në pikën 5 të këtij vendimi kemi ndarë shumën prej 100 mijë euro për pagën shtesë për profesionistët shëndetësor të cilën kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik, bazuar në marrëveshjen kontraktuale, bëhet fjalë këtu për stafin i cili paguhet nga Caritasi. Ndërsa në pikën tjetër ndahen 160 mijë euro për pagesën e shtesave për punëtorët teknik të sektorit privat, bëhet fjalë për shërbimin e pastrimit dhe gjithashtu shërbimin e sigurimit të cilët punojnë në institucionet publike shëndetësore, kjo shtesë është e paraparë të paguhet për muajin shkurt dhe muajin mars”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur se të gjitha mjetet merren nga programi për rimëkëmbje ekonomike, nga kategoria shpenzimeve dhe subvencioneve, përveç atyre për sektorin e arsimit që janë mjete nga 5 milionë euro të ndara paraprakisht për këtë sektor.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për organizimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbahet më 5,6 dhe 7 mars. Për këtë, ekzekutivi ka formuar edhe këshillin organizativ.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është diskutuar edhe miratuar edhe draft-platforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe politikës së sigurisë.

Lidhur me këtë ka folur ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në listën e organizatave terroriste të fusë edhe “Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata “FETO”.

“Këtu nuk përmenden organizatat terroriste që janë të njohura edhe botërisht, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata terroriste FETO. Këta mund ta dëmtojnë rëndë edhe vendin tonë Kosovën, duhet ta kemi parasysh, sidomos PPK në listat e BE-së dhe ShBA-së. Patjetër që na nevojitet rritja e bashkëpunimit me Turqinë kundër këtyre organizatave. Unë mendoj që këtu patjetër duhet të ekzistojë edhe PPK dhe organizata terroriste Feto të cilat veç bëjnë krime në tërë botën por mendojnë që dëmtojnë edhe Kosovën”, ka thënë ai.

Draft-platforma u miratua për përfshirë këto kërkesa, ndërsa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se të njëjtat do t’i dërgohen AKI-së.

“Politika jonë e inteligjencës së sigurisë koordinohet me partnerët tanë ndërkombëtar, është në linjë me politikë ne tyre, me këtë koment të cilin kërkoj nga sekretariati që t’i bartët AKI-së, e nxjerr në votim”, ka thënë Hoti.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, janë miratuar ndaras edhe marrëveshja në mes të Kosovës dhe Kuvajtit në fushën e mbrojtjes, koncept-dokumenti për Policinë Ushtarake dhe Strategjia e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni