Kreu Ekonomi Qeveria në detyrë ndan mjete financiare për punonjësit e Shërbimit Korrektues, Doganës e AUV-it

Qeveria në detyrë ndan mjete financiare për punonjësit e Shërbimit Korrektues, Doganës e AUV-it

nga Flamur Berisha

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për të ndarë mjete financiare për të paguar pagesën shtesë në pagë për punonjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Doganës së Kosovës, ATK-së dhe AUV-it. Shtesat paguhen për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë po ashtu janë ndarë edhe 40 mijë euro për mbështetje financiare për punonjësit e Lotarisë së Kosovës, që ka tash e një vit që nuk kanë marrë paga.

Sindikata e punëtorëve të Lotarisë pak ditë më parë kishte mbajtur protestë në lidhje me mosmarrje të pagave tash e një vit.

Po ashtu janë ndarë 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për blerjen e materialeve, aparaturave, dhe angazhim të personelit mbështetës për menaxhimin e pandemisë COVID-19. E gjithashtu është vendosur edhe për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione e transfere, prej datës 1 mars deri më datën 31 tetor 2021.

Ndër vendime tjera ka qenë edhe ndarja e tetë milionë eurove për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për subvencionimin e tarifës për burime të ripërtritshme të energjisë.

E po ashtu edhe 500 mijë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.

Në mbledhjen e 69-të të Qeverisë, është miratuar edhe vendimi për kompensim të njëhershëm për delegatët e legjislaturës të vitit 1990, të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor të vitit 1999, që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më datën 2 korrik të vitit 1990 dhe 7 shtator 1990, si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.

Është miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Reagimi i Kosovës ndaj COVID-19 për NVM-të”, si dhe negocimin, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni