Kreu Ekonomi Qeveria së shpejti merr vendim për shpërndarjen e mjeteve për rimëkëmbje ekonomike

Qeveria së shpejti merr vendim për shpërndarjen e mjeteve për rimëkëmbje ekonomike

nga Flamur Berisha

Qeveria në detyrë e Kosovës pritet që së shpejti të merr vendim lidhur me shpërndarjen e mjeteve të parapara në buxhetin e këtij viti për rimëkëmbje ekonomike.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka bërë të ditur se së pari do të merret një vendim i përgjithshëm në Qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për tërë shumën prej 222.4 milionë euro.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pakos ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.

Postimi i plotë:

“Hapat për implementim të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike (LRE) për vitin 2021

Në përgjigje të interesimit të mediave dhe pyetjeve të shumta duke i `u falënderuar, më poshtë mund të gjeni disa informata lidhur me Implementimin e LRE

1. Nenet e caktuara të ligjit për rimëkëmbje ekonomike që nuk kanë kërkuar ndarje buxhetore kanë filluar së zbatuari që pas aprovimit të ligjit në dhjetor 2020 si: tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional, lirimet tatimore etj.

2. Pjesët tjera të ligjit fillojnë së zbatuari me fillimin e ekzekutimit të buxhetit për vitin 2021 sipas mundësive buxhetore.

3. Së pari, do të merret një vendim i përgjithshëm në qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos për rimëkëmbje ekonomike për tërë shumën prej 222.4 mln euro. Në këtë vendim mjetet të cilat nuk janë të dedikuara për qëllime të caktuara do të ndahen nëpër institucione për zbatimin e masave të caktuara në mbështetje të biznesit, individëve dhe ministrive/komunave të cilat mbulojnë fusha të caktuara.

4. Me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pikës 3 ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.

5. Bizneset dhe qytetarët duhet të presin ministritë e linjës për t`u informuar për mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde, kriteret që duhet plotësuar për të qenë përfitues dhe kohën e aplikimit nëse nevojitet aplikim.

6. Prioritet për fillim do të kenë fusha në të cilat është i domosdoshëm fillimi i zbatimit të masave: si p.sh arsimi, vijimi i pagesave për shtesa për sektor të caktuar, pagesat për të vet-punësuarit dhe ata që kanë humbur vendet e punës.

7. Gjatë vitit 2021 do të ketë zbatim të plotë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Fillimi i zbatimit të masave pritet të filloj gjatë janarit të këtij viti. I tërë procesi i implementimit do të zbatohet në mënyrë transparente.

Ndërkohë, Mnistria e Financave ka dalë me sqarim lidhur me vendimin e qeverisë nr. 10/33 për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive në shumë prej 290 euro”, ka shkruar Krasniqi.

“Referuar vendimit Nr. 10/33 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive në shumë prej 290 euro, bazuar në numrin e të punësuarve, MF njofton se është themeluar Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave. Ankesat e juaja mund t’i adresoni tek ky Komision në e-mail adresën: ankesa.mf@rks-gov.net.
Pas shqyrtimit të ankesave tuaja, ju do të merrni përgjigje zyrtare në e-mailin që e keni lënë si kontakt në ankesën tuaj”, thuhet në sqarimin e MF. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni